Guns N ‘Roses është zyrtarisht bendi më i madh i viteve ‘80 dhe ‘90 në YouTube, njoftoi Forbes.
Videoklipi i tyre i vitit 1991 “November Rain” i ka kaluar tashmë një miliard shikime, ndërsa hiti i vitit 1988 “Sweet Child O’ Mine” po u afrohet 700 milionë shikimeve.
“Fuqia profituese e Guns N ‘Roses është nënvizuar pasi turneu ribashkues i grupit po u afrohet 500 milionë dollarëve në të ardhura”, raportoi Forbes, shkruan sot Koha Ditore.
“November Rain” është videoklipi i parë muzikor nga vitet 1990 që i ka arritur një miliardë shikime, dhe i pari që është krijuar para epokës së YouTube dhe që e ka arritur këtë.” Forbes vuri në dukje se klipi i kishte mesatarisht rreth 560,000 shikime çdo ditë në vitin 2017.
“Suksesi i vazhdueshëm i këngës e tregon popullaritetin në rritje të këngëve të katalogut si një gjenerator të ardhurash“, shtoi Forbes. Versioni zyrtar i “November Rain” u publikua në kanalin e Guns N ‘Roses në YouTube më 15 dhjetor 2009, ndërsa “Sweet Child O’ Mine” ishte publikuar një ditë më parë. Popullariteti i bendit u rrit me rikthimin e kitaristit Slash dhe basistit Duff McKagan në formacionin e bendit në vitin 2016, duke e shënuar kështu herën e parë që nga fillimi i viteve ‘90 që ata ishin shfaqur së bashku në skenë me frontmenin Axl Rose.
Turneu i Guns N ‘Roses, Not in This Lifetime – titull ky që i referohet komentit që Rose e kishte bërë një herë për gjasat e ribashkimit – e përfundon pjesën evropiane më 24 korrik, ndërsa datat e mëtejshme janë caktuar për nëntor.
Albumi i tyre debutues, “Appetite for Destruction”, u ripublikua dhe u zgjerua, duke e përfshirë një edicion 999- dollarësh që i përmbante më shumë se 80 artikuj dhe u kufizua në 10,000 kopje.