Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha të martën se virusi Covid-19 është kriza më sfiduese më të cilën është përballur njerëzimi që nga Lufta e Dytë Botërore.
Shefi i OKB-së e publikoi një plan të ri për t’i luftuar efektet sociale dhe ekonomike të pandemisë së koronavirusit dhe bëri thirrje që bota të veprojë e bashkuar për ta lehtësuar goditjen ndaj popujve.
Ai tha se virusi paraqet stress për të gjithë në botë dhe ka efekte ekonomike që do të sjellin një recesion që ndoshta nuk mund të krahasohet me diçka tjetër në të kaluarën e vonshme, shkruan “Anadolu”, transmeton Gazeta Express.
“Kombinimi i këtyre dy fakteve dhe rreziku që virusi sjell për t’i shtuar trazirat, konfliktet dhe mungesën e stabilitetit na bëjnë të besojmë se kjo është vërtet kriza më sfiduese me të cilën jemi përballur që nga lufta e dytë botërore”, tha Guterres.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një përgjigje më të fuqishme dhe më efektive kundër efektit shkatërrues të virusit, duke thënë se kjo është e mundur vetëm nëse të gjithë bëhen bashkë dhe i harrojnë lojërat politike dhe kuptojnë se në pyetje është i tërë njerëzimi.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, që funksionon në kuadër të Kombeve të Bashkuara, 5 deri në 25 milionë vende pune do të shuhen në mbarë botën si pasojë e krizës.