Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Z. Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim me Z. Piero Cipollone, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), gjatë takimeve pranverore në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Washington D.C. Ky ishte takim përmbyllës i BQK-së me partnerët dhe palët ndërkombëtare.
Në njoftimin për media nga BQK, bëhet e ditur se takimi ofroi një mundësi për të shkëmbyer pikëpamje mbi çështje të ndryshme të bashkëpunimit të ndërsjellë mes BQK-së dhe BQE-së. Guvernatori Ismaili informoi Z. Cipollone për zhvillimet kryesore brenda BQK-së, duke përfshirë përparimet në përgatitjet për integrimin dhe pajtueshmërinë me SEPA, si dhe çështjet e tjera të rëndësishme me të cilat përballet banka qendrore.
“Takimi u fokusua në diskutimet mbi eksplorimin e mundësive për adoptimin e zgjidhjeve nga BQK për pagesat e shpejta me qëllimin të ndërlidhjes me TIPS, si dhe diskutime të vazhdueshme me vendet fqinje për gjetjen e zgjidhjeve optimale për rajonin. Guvernatori Ismaili theksoi angazhimin e palëkundur të BQK-së për të avancuar dhe modernizuar sistemin e saj të pagesave, që do të hapte rrugën për integrimin në infrastrukturën e tregut financiar të Bashkimit Evropian, në përputhje me objektivat strategjike të BQK-së. Këto angazhime pasqyruan përpjekjet e BQK-së për të nxitur partneritete të forta me palët ndërkombëtare kyçe, duke avancuar misionin e institucionit për të promovuar stabilitetin financiar dhe përfshirjen financiare, të cilat janë thelbësore për të nxitur zhvillimin ekonomik në vend”, thuhet në njoftim.