Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Zëvendësguvernatori Milot Cakaj, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (CEB), Thomas Adams, Menaxher i vendit përgjegjës për Gjermani dhe Kosovë, si dhe Denis Weerts, Menaxher i Lartë për Rrezikun e Kredive.
Bëhet e ditur se diskutimet u fokusuan në zhvillimet e fundit në sektorin financiar, me theks atë të mikrofinancave dhe institucioneve jo-bankare financiare (MFI/NBFI), avancimin e përfshirjes financiare dhe reformat strukturore dhe rregullatore të ndërmarra nga BQK.
“Në fillim të takimit, Guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet e fundit në sektorin financiar, duke përfshirë atë të mikrofinsncave dhe jo bankave, duke theksuar rolin e këtyre institucioneve në zgjerimin e qasjes ndaj financave për segmente të caktuara të ekonomisë dhe popullsisë.. Ai vuri në dukje se sektori operon me një model unik biznesi që mbështet huamarrjen për mikro-ndërmarrjet dhe individët me qasje të kufizuar në shërbimet tradicionale bankare, duke ruajtur një nivel të ulët të kredive me problem dhe një profil të qëndrueshëm risku. Guvernatori Ismaili gjithashtu informoi përfaqësuesit e CEB-it mbi forcimin e kornizës rregullatore dhe mbikëqyrëse për MFI dhe NBFI, duke përfshirë kërkesat e reja për licencim dhe kapital, praktikat e përmirësuara të mbikëqyrjes, dhe aktivitetet e vazhdueshme për parandalimin e pastrimit të parave (AML). Ai theksoi se BQK ka avancuar strukturën e brendshme organizative për të siguruar një mbikëqyrje më efektive të këtyre institucioneve, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe objektivat strategjike të BQK-së”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu gjatë takimit u diskutua progresi i modernizimit të sektorit financiar.
“Diskutimet gjithashtu përfshinë progresin në agjendën më të gjerë të modernizimit të sektorit financiar. Guvernatori Ismaili prezantoi iniciativat e digjitalizimit të BQK-së, përfshirë reformat në sistemin e pagesave, përgatitjet për integrimin në SEPA, zhvillimin e platformës TIPS Clone për pagesa instant, si dhe përpjekjet e zgjeruara të BQK-së në edukimin financiar. Këto iniciativa synojnë të forcojnë përfshirjen financiare, të përmirësojnë efikasitetin dhe të mbështesin zhvillimin afatgjatë të infrastrukturës financiare të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.
Adams dhe Weerts thuhet se vlerësuan progresin e BQK-së në forcimin e kornizës mbikëqyrëse, promovimin e përfshirjes financiare dhe avancimin e digjitalizimit. Ata rikonfirmuan interesin e vazhdueshëm të CEB-së për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm, ndikimin social dhe financat gjithëpërfshirëse në Kosovë.