Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka prezantuar në forumin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, zhvillimet e fundit në sektorin financiar dhe masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe makroekonomik.
Para të pranishmëve, Guvernatori Mehmeti theksoi se sektori bankar i Kosovës ka arritur të ruaj shkallën e lartë të qëndrueshmërisë përkundër sfidave me të cilat u ballafaqua ekonomia e vendit, si rrjedhojë e pandemisë dhe për më tepër, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mbështetje të ekonomisë për të minimizuar pasojat ekonomike nga kriza e fundit.
Sipas Guvernatorit Mehmeti, rritja e kredive të sektorit bankar me një normë vjetore prej mbi 11 përqind gjatë këtij viti, po paraqitet si kontribuues i rëndësishëm në rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, e cila në vitin 2021 po i rikthehet normave pozitive të rritjes.
Guvernatori Mehmeti vlerësoi lartë rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet Bankës Qendrore dhe komunitetit afarist në mënyrë që të identifikohen në mënyrë sa më të drejtë nevojat e bizneseve dhe të krijohen kushte sa më të mira për zhvillimin e tyre.