Sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland, do të shkojë ballë për ballë me sulmuesin e Liverpoolit, Darwin Nunez, ndërsa rivalët për titullin e Premier League do të zbulojnë rekrutët e tyre të shtrenjtë në Community Shield, ndeshjen e parë zyrtare. Superkupa e Anglisë mes Cityt e Liverpoolit luhet të shtunën prej orës 18:00 në stadiumin “King Power”.
Duke u nisur drejt ngritjes së perdeve të sezonit 2022/23 në Premier League vikendin e ardhshëm, presioni është mbi Haalandin dhe Nunezin për të ofruar dëshmi se mund t’i justifikojnë çmimet e tyre të larta gjatë muajve të ardhshëm. Dyshja përfaqëson mbi 100 milionë funte të shpenzuara për të shënuar gola, ndërsa rivaliteti mes Cityt dhe Liverpoolit intensifikohet edhe më shumë në edicionin e ri.
Shumëçka ka ndryshuar te City dhe Liverpooli, qëkur skuadra e Pep Guardiolas e mposhti ekipin e Juergen Kloppit me vetëm një pikë për titullin e kampionit pas një fitoreje emocionuese ndaj Aston Villas në ditën e fundit të sezonit. Titulli i katërt i Cityt në pesë sezone ishte vetëm shpërblim për qëndrueshmërinë e pabesueshme të ekipit nga “Etihad Stadium”, por personaliteti perfeksionist i Guardiolës siguroi që ai të mos qëndronte me ekipin e njëjtë edhe në sezonin e ri. Guardiola aprovoi shitjet e Gabriel Jesusit dhe Oleksandr Zinchenkos në Arsenal, ndërsa Raheem Sterling iu bashkua Chelseat dhe Fernandinho u kthye te Athletico Paranaense.
“Po, sigurisht se e duam këtë trofe. Është mirë për Cityn t’ia nisë me trofe, por nuk do të jetë aspak lehtë. Besoj se jemi gati për këtë përballjeje”, tha Guardiola, të premten në konferencën për shtyp.
I vetëdijshëm se suksesi i Cityt sezonin e kaluar u arrit pavarësisht mungesës së një sulmuesi qendror natyral, Guardiola bëri një lëvizje të suksesshme për një nga yjet e rinj më të ndritur të Evropës, teksa transferoi norvegjezin Haaland nga Borussia Dortmundi për 51 milionë funte.
Pasi nuk arriti të rrëmbejë Harry Kanen nga kthetrat e Tottenhamit 12 muaj më parë, Guardiola shpreson që Haalandi të mundë ta imitojë formën e tij për shënimin e golave që e pati te Dortmundi edhe në Premier League. Aftësia e 22-vjeçarit për t’u bashkuar me grupin e talenteve krijues të Cityt është një nga historitë kryesore që do ta përcaktojë garën për titull. Shenjat e hershme janë premtuese pasi Haalandit iu deshën vetëm 12 minuta për të shënuar në debutimin e tij me Cityn, në një miqësore kundër Bayern Muenchenit.
“Siç e dini ndoshta të gjithë, unë kam parë shumë ndeshje të Cityt gjatë viteve të fundit”, tha Haaland.
“Vitet e fundit (ata) kanë qenë pa një sulmues, kështu që sigurisht që e kam parë veten në situata të tilla. Nuk jam i befasuar. Cilësia është e mirë”.
Nënshkrimi i mesfushorit anglez Kalvin Phillips nga Leedsi për 42 milionë funte nënvizoi më tej ambiciet dinastike të Cityt. Ndërsa City do ta fillojë sezonin si favorit për titull, cilido qoftë rezultati këtë fundjavë në stadiumin Leicesterit, kërcënimi i Liverpoolit mbetet i qartë dhe i pranishëm. Skuadra e Kloppit sezonin e shkuar gati sa nuk e përfundoi me katër trofe të fituar, por nuk arriti ta bëjë një gjë të tillë. Liverpooli dështoi në mënyrë të dhimbshme ta tejkalojë Cityn në garën për titull përpara se Real Madridi t’i mundte 1:0 në finalen e Ligës së Kampionëve. Mposhtja e Chelseat me penallti në finalet e Kupës FA dhe të Kupës së Ligës ishte ngushëllim i vogël për një trajner me ambicie si gjermani Klopp.
Muaj më vonë, që nga ajo finale e dhimbshme e Championsit, kanë parë që Liverpooli përfundimisht t’i japë fund spekulimeve për të ardhmen e Mohamed Salahut, duke e lidhur yllin egjiptian me një kontratë të re.
Largimi i Sadio Manes te Bayerni ishte një goditje, por Klopp mbushi boshllëkun e lënë nga sulmuesi i Senegalit, kur pagoi 64 milionë funte, shumë kjo që mund të rritet në një rekord klubi prej 85 milionë funtesh, për të nënshkruar me Nunezin nga Benfica. Nunez, 23-vjeçar, ka duruar një parasezon jo fort të mirë te Liverpooli, me një humbje të turpshme kundër Manchester Unitedit, e ndjekur nga një fitore 5:0 ndaj Leipzig dhe më pas një disfatë nga Salzburgu. Në këto tri ndeshje, Nunez ka shënuar katër gola, që të gjithë ndaj Leipzigut. Krahasimet e parakohshme do të bëhen në mënyrë të pashmangshme midis Haalandit dhe Nunezit të shtunën. Por Klopp ishte i shpejtë për të mbrojtur sulmuesin e Uruguait, duke thënë: “Ai ka nevojë për më shumë mbështetje rreth tij”.
Edhe Klopp ka pranuar se synon fitoren në ndeshjen e parë zyrtare ndaj Cityt, pasi e di rëndësinë psikologjike të çdo fitoreje në Angli.
“Situata është se është një lojë shumë e rëndësishme, por situata është që ne ende duhet të përgatisim një sezon, kështu që nuk mund ta injorojmë këtë”, tha Klopp. “Pres duel të të dy ekipeve të mira”.