Haalandi ia theu gishtin Van Dijkut mbrëmë gjatë ndeshjes Norvegji – Holandë

Prishtinë | 02 Sht 2021 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Erling Haaland ka zbuluar se ai ia ka thyer gishtin Virgil van Dijkut gjatë ndeshjes kualifikues për Kupën e Botës mes Norvegjisë dhe Holandës të mërkurën.

Sulmuesi i Borussia Dortmundit u përplas me mbrojtësin e Liverpoolit vazhdimisht gjatë ndeshjes që u mbyll baras 1:1 në Olso, raporton Gazeta Express.

Haalandi e hapi serinë e golave para se Norvegjia të barrikadohej në mbrojtje dhe pas ndeshjes tha se ishte përgjegjës për një dëmtim të shkaktuar ndaj Van Dijk.

Duke folur pas ndeshjes për TV2: “Mendoj se ia theva gishtin Van Dijkut. Ai erdhi tek unë dhe më tha: ‘Ta hajë dreqi, mendoj se ma theve gishtin.’ Ai është shumë i mirë. Nuk ia kam idenë se si ndodhi”.

Pas ndeshjes, mjeku i ekipit holandez tha se Van Dijk nuk kishte thyer ndonjë asht, por më vonë u mësua se ai e kishte pësuar një dislokim.

Sidoqoftë, ky nuk është ndonjë dëmtim serioz që ia pamundëson atij paraqitjen për Holandën kundër Malit të Zi dhe ndaj Turqisë.

Të ngjashme