Tribunali i Hagës miratoi vizitën e mjekëve serbë te ish-komandanti serb i Bosnjës, Ratko Mlladiq, i akuzuar për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje.
Letra nga sekretariati i gjykatës nuk i përcakton datat e vizitës.
Mbrojtja e Mlladiqit konsideron se vizita e mjekëve serbë është e domosdoshme, përpara se të kërkojë lirimin e përkohshëm të Mlladiqit për trajtim mjekësor në Serbi. Qeveria e Serbisë ka dhënë tashmë garanci për lirimin e përkohshëm të tij.
Kërkesa e mëhershme e mbrojtjes që Mlladiq të dërgohet në Rusi për shërim, është refuzuar nga Tribunali me arsyetimin se nuk ka siguri se i akuzuari do të kthehet në Hagë.
Shpallja e aktgjykimit për Mlladiqin pritet të bëhet më 22 nëntor.
Javën e kaluar, mbrojtja ka kërkuar që vendimi të shtyhet derisa mjekët të përcaktojnë nëse Mlladiq është mentalisht dhe fizikisht i aftë për të marrë pjesë në proces.