Në kuadër të eventit “French Business Day”, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se Kosova ofron mundësi të favorshme për investitorët francezë dhe po forcon pozicionin e saj si destinacion konkurrues për bizneset ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.
Ajo nënvizoi se ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, me rritje mesatare të PBB-së më të lartë në Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të fundit, dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, inflacion të ulët dhe borxh publik më të ulët në rajon.
“Duke zgjedhur Kosovën, kompanitë franceze forcojnë zinxhirët e furnizimit të Evropës, zvogëlojnë varësinë nga tregjet e largëta dhe fitojnë një partner të besueshëm në zemër të Ballkanit. Ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Gjatë tre viteve të fundit, PBB-ja jonë është rritur me mesataren më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Eksportet dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar, ndërsa inflacioni mbetet i ulët dhe borxhi publik është më i ulëti në rajon”, tha ajo.
Hajdari shtoi se raporti i OECD-së për vitin 2024 evidenton përparimet e Kosovës në politikat e investimeve, lehtësimin e tregtisë dhe turizmin.
“Njohja ndërkombëtare pasqyron këtë progres. Do t’ju tregoj dëshmitë nga raporti “FDI Intelligence” i Financial Times, i cili e renditi Kosovën të pestën në botë dhe të dytën në Evropën në zhvillim për investimet greenfield dhe performancën e IHD-së. Perspektiva e konkurrueshmërisë e OECD-së për vitin 2024 theksoi përparimet e Kosovës në politikat e investimeve, lehtësimin e tregtisë dhe turizmin. Dhe këto arritje dëshmojnë se Kosova nuk është vetëm stabile, por edhe konkurruese në shkallë globale”, tha ajo.
Ajo bëri të ditur se Franca ka 66 biznese, Greqia 17, Gjermania 695, Zvicra 335 dhe Austria 117 biznese.
“Dua t’ju tregoj gjithashtu përditësimin e fundit nga regjistri i bizneseve i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Nëse marrim periudhën nga 1 janari 2021 deri më 31 janar 2026, janë regjistruar 59.353 biznese, prej të cilave 5.755 janë biznese me pronësi ndërkombëtare. Nëse e krahasojmë këtë rritje me periudhën 2015–2020, kemi një rritje prej 62 për qind të bizneseve të regjistruara me pronësi ndërkombëtare”.
“Kjo sjell Francën me 66 biznese, Greqinë me 17 biznese, Gjermaninë me 695 biznese, Zvicrën me 335 biznese dhe Austrinë me 117 biznese”, tha ajo.
Ajo theksoj se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në qeverisje dhe transparencë.
“Dhe, meqë të gjithë po përmendin besimin, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në qeverisje dhe transparencë. Në vitin 2021, ne u përmirësuam për 17 vende në indeksin e korrupsionit të Transparency International dhe deri në vitin 2024 arritëm përmirësimin më të madh ndër vendet e Ballkanit Perëndimor. Siguria është një tjetër shtyllë themelore. Raporti Global për Sigurinë i Gallup-it për vitin 2025 e renditi Kosovën të tretën në botë dhe të parën në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve. Ky është një sinjal i fuqishëm. Kosova është një mjedis i sigurt, stabil dhe i besueshëm për investitorët francezë”, tha ajo.
