Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale në lidhje me skandalin me rezervat shtetërore, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se kanë paditur policët hetues, sepse, sipas saj, provat janë mbledhur në mënyrë të jashtëligjshme, raporton Ekonomia Online.
“Të gjeturat, të ashtuquajtura prova, janë mbledhur jashtëligjshëm përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi, i cili i ka dërguar në MINT pa certifikatë sigurie. Kjo ka ndodhur më 1 gusht 2023, kur dy policë hetues pa certifikatë sigurie, pra pa leje për asnjë nga këto dokumente të klasifikuara ‘sekret’, kanë marrë materialin brenda një ore në Departamentin e Rezervës Shtetërore të Mallrave në kuadër të MINT, duke u thirrur në autorizimin e prokurorit të PRKS-së, Valdet Gashi.
Ne, nga MINT, i kemi denoncuar hetuesit në IPK, dhe IPK ka hapur hetim dhe ka konstatuar shkeljen ligjore me veprimin e policëve hetues, duke konfirmuar se dy policët hetues nuk ishin të pajisur me certifikim sigurie të nivelit ‘sekret’. Në këtë raport të IPK-së, i është kërkuar U.D. të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale që ta udhëzojë Inspektoratin Policor për veprime të mëtejshme. Por kjo çështje është mbyllur nga vetë prokurori Valdet Gashi.
Ne si MINT kemi dëshmi që vërteton se, me të pranuar raportin e IPK-së, prokurori Valdet Gashi ka pohuar se është në konflikt interesi dhe nuk mund ta trajtojë lëndën, pasi që vetë kishte autorizuar policët hetues të merrnin dokumentacionin. Dhe, siç e theksova më vonë, më 8 nëntor 2023, vetë ky prokuror Gashi, edhe pse tha se ishte në konflikt interesi, ka përpiluar raportin për mbylljen e rastit duke i liruar policët,” tha ajo.