Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) Rozeta Hajdari, ka thënë se nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s, bizneset në Kosovë do të përfitojnë eliminimin e tarifave doganore për të gjitha produkte industriale, dhe për shumicën e produkteve bujqësore, raporton Ekonomia Online.
Duke folur në një konferencë për media për marrëveshjen e Tregtisë së Lirë, ndërmjet Kosovës dhe EFTA-s, Hajdari ka thënë se lehtëson edhe tregtinë e shërbimeve një sektor ku Kosova ka treguar një arritje të jashtëzakonshme si dhe përmes kësaj marrëveshje Kosova bëhet një destinacion më i favorshëm për investime të huaja.
Ajo ka thënë se Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç kapitullit të tregtisë së lirë me mallra, në këtë marrëveshje ka përfshirë edhe kapitullin mbi tregtinë e shërbimeve.
“Kosova po bëhet shpejt një destinacion dinamik dhe tërheqës për investime, me mundësi të rëndësishme rritjeje në sektorë kyç, sidomos në ICT dhe shërbime profesionale të tjera, bujqësi dhe prodhim. Prandaj, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimin më të ngushtë në tregjet ndërkombëtare. Është e rëndësishme të theksohet se, për dallim nga vendet e rajonit, të cilat kanë të nënshkruar kohë më parë një marrëveshje të tillë, Republika e Kosovës është i vetmi vend në rajon që, përveç kapitullit të tregtisë në mallra, ka negociuar edhe kapitullin e tregtisë në shërbime në këtë marrëveshje”.
“Nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, do të përfitojnë kompanitë vendore, të cilët do të kenë mundësi të rrisin eksportet e tyre duke pasur qasje të lirë në tregjet e EFTA-s. Po ashtu investitorët do të kenë mundësi të investojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë vendore, duke sjellë kapital dhe teknologji moderne, duke kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës, veçanërisht në sektorët e transportit dhe energjisë. Rritja e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të EFTA-së do të krijojë mundësi për rritjen e punësimit dhe përmirësimin e të ardhurave kombëtare. Kjo marrëveshje do të forcojë marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare të Kosovës me shteteve të EFTA-së, duke rritur imazhin e Kosovës ndërkombëtarisht. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë një numër i madh i diasporës kosovare që jetojnë në Zvicër dhe vendet e tjera të EFTA-së”, ka thënë Hajdari.
EFTA (European Free Trade Association) është Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë dhe përbëhet nga katër shtete anëtare Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.
Këto vende nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por kanë marrëveshje të ndryshme tregtare me BE-në dhe mes vete.

