Hajdari reagon pas ndeshjes: Asnjë pikë gjaku nuk është e tepërt për këtë vend

Prishtinë | 01 Pri 2026 | 20:34 | Nga Ekonomia Online

Futbollisti i Kosovës, Albian Hajdari, ka ndarë një mesazh të fortë emocional në rrjetet sociale pas ndeshjes së fundit, duke reflektuar mbi humbjen, por edhe mbi krenarinë për përfaqësimin e vendit.

Përmes një postimi në Instagram, Hajdari theksoi përkushtimin maksimal për fanellën e Kosovës, duke përdorur një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe të ngarkuar me ndjenja.

“Asnjë pikë gjaku nuk është e tepërt për këtë vend!”, shkroi ai, duke nënvizuar sakrificën dhe dashurinë për shtetin.

Më tej, ai shprehu bindjen se, pavarësisht perceptimeve aktuale, e ardhmja e Kosovës do të jetë më e ndritur.

“Sot Kosova mund të duket e vogël për shumëkënd, por një ditë do të jetë e madhe në zemrat e të gjithëve”, u shpreh Hajdari.

Duke iu referuar ndeshjes së fundit, ai pranoi humbjen, por theksoi se krenaria mbetet e paprekur.

“Humbëm, por krenaria nuk humbet kurrë. Kosova gjithmonë në zemër!”, shtoi ai, duke e përmbyllur mesazhin me fjalën “Alhamdulillah”.

Të ngjashme