Disa hajna e shfrytëzuan periudhën e qetë të Krishtlindjeve për t’ia hapur rrugën vetes deri te kasaforta e një banke gjermane dhe duke ia dalë që të iknin me të paktën 10 milionë euro vlerë në para dhe gjësende me vlerë nga kutitë e depozitave të klientëve, tha policia të martën.
Autorët shpuan një mur të trashë betony në një degë të bankës “Sparkasse” në qytetin perëndimor gjerman, Gelsenkirchen, dhe pastaj thyen me mijëra kuti të sigurta të depozitave dhe vodhën një shumë që vlerësohet të jetë në dhjetëra miliona euro, thuhet në deklaratën e policisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Shumica e dyqaneve dhe bankave mbyllen në Gjermani në periudhën e Krishtlindjeve, duke filluar nga mbrëmja e 24 dhjetorit, dhe policia e zbuloi vrimën vetëm pas aktivizimit të alarmit për zjarr në orët e hershme të së hënës së 29 dhjetorit.
Dhjetëra klientë të zemëruar u grumbulluan para bankës të martën duke brohoritur me zë të lartë: “Na lini të hyjmë!”.
“Nuk mund të flija mbrëmë. Nuk po marrim informata” – tha një burrë derisa priste para degës së bankës, duke shtuar se ishte duke e përdorur kasafortën për 25 vjet dhe se aty ndodheshin kursimet e tij për moshën e shtyrë.
Një burrë tjetër tha se e përdorte kutinë e bankës për t’i ruajtur paratë e gatshme dhe bizhuterinë për familjen e tij.
Një zëdhënës i bankës “Sparkasse” në Gelsenkirchen nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment.