Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu i Smrekonicës, është lajmëruar sërish. Edhe kësaj radhe Hajrizi foli në rrjetin social Tik Tok, ku e kishte lansuar edhe videon e parë nga arratia. Në këtë video, Hajrizi është marrë me një emër të përveçëm: Xhelal Sveçlën.
Hajrizi e ka quajtur Sveçlën ministër të punëve të kota, pasi ky i fundit kishte theksuar se arrestimi i tij është vetëm çështje orësh ose ditësh. Hajrizi në një formë e ka sfiduar Sveçlën, duke thënë se ju nuk e kapni askënd.
“E pyes Sveçlën, i them se kur ke qenë i vogël a ke punuar në furrë a çka është puna se i ke disa orë të furraxhisë. Nuk mund të më kapësh ti mua. Kurrë s’mund të më kapësh o ministër i punëve të kota” – tha ai.
Tutje, Hajrizi ka vlerësuar se sa për Sveçlën do të shkonte midis Prishtinës.
“Sa për ty, vi midis Prishtinës dhe s’guxon me më dalë hiç, por i shti ata burra, Njësi Speciale, ua the kokën e në fund ti rri në kollare, se ti vet edhe 100 herë me u klonu ti s’mund të më kapësh mua, se s’guxon të më afrohesh ti mua. Ky është mesazhi që ta jap unë ty, Xhelal Sveçla, a çfarë mbiemri falë e ki, mbiemër koti”, tha Hajrizi.
Tutje, Hajrizi ka përmendur tërthorazi ish-krerët e UÇK-së në Hagë, të cilët po vazhdojnë të gjykohen për krime kundër njerëzimit. Sipas Hajrizit, ata që do ta kapnin atë “janë në Hagë”.
“Ata të cilët më kishin kapur dhe me marrëveshje, janë në Hagë atje që ua kisha dëgjuar hatrin, jo lepurushët e Vetëvendosjes. Ju njohim mirë kush jeni. Nuk jeni ju që e kapni askënd, hiç”, tha Hajrizi.
Sjellim ndër mend që Hajrizi është i dënuar në lidhje me vrasjen e një ushtari rus pas luftës, ndërsa kjo është hera e nëntë që Hajrizi arratiset nga burgu.
Çfarë kishte thënë Sveçla?
Në një prononcim për medie, Sveçla kishte folur në lidhje me arratisjen e Hajrizit. Sipas Sveçlës, kapja e të arratisurit Hajrizi është vetëm çështje orësh ose ditësh.
“Tashmë policia ka bërë angazhimin e saj që të hetojë rastin në plotëni, në qoftë arratisjen apo vendndodhjen e tij dhe arrestimin shumë të shpejtë… Policia po punon unë jam i bindur dhe policia shumë shpejt do të vijë me rezultate. Ju po i shihni rezultate e policisë për çdo ditë që të kemi numër minimal të rasteve ku kemi vështirësi në zbulueshmëri, do të thotë zbulueshmëria është maksimale, edhe veprimet e policisë janë jashtëzakonisht efektive. Unë nuk jam shumë i brengosur me këtë duke parë efikasitetin e policisë, është çështje orësh apo ditësh”, ka thënë Sveçla.