Hakerët mashtruan inteligjencën artificiale të Instagramit për të marrë profilet e përdoruesve

Prishtinë | 03 Qer 2026 | 09:22 | Nga Ekonomia Online

Rrjeti social Instagram ka bërë të ditur se ka zgjidhur një problem sigurie që u mundësonte hakerëve të mashtronin mjetin e tij të mbështetjes me inteligjencë artificiale dhe të fitonin qasje në llogaritë e përdoruesve të tjerë.

Sipas pretendimeve të shpërndara në rrjetet sociale, të mbështetura me video, ‘chatboti’ i Instagramit u kishte lejuar disa përdoruesve të kontrollonin profile të tjera gjatë ditëve të fundit.

Raportohet se hakerët arrinin të ndryshonin fjalëkalimet e llogarive duke paraqitur në mënyrë të rreme vendndodhjen e tyre dhe më pas duke kërkuar nga inteligjenca artificiale të ndryshonte adresat elektronike të lidhura me ato profile.

“Ky problem është zgjidhur dhe po ndërmarrim masa për të siguruar llogaritë e prekura”, deklaroi zëdhënësi i Metas, Andy Stone, përmes një postimi në X.

Në një reagim ndaj pretendimeve se dobësia ishte përdorur për të komprometuar profile të liderëve botërorë, Stone i cilësoi ato si “plotësisht të pavërteta”.

Portali i teknologjisë “404 Media” raportoi se publikimet për këtë dobësi përkuan me një seri marrjesh të profileve të njohura në Instagram, përfshirë edhe një llogari të verifikuar që ishte përdorur nga Barack Obama gjatë kohës kur ishte president i Shteteve të Bashkuara.

Sipas raportimeve, në atë profil u publikuan përkohësisht mesazhe pro-Iranit përpara se llogaria të rikthehej nën kontroll.

Ende nuk dihet sa llogari të Instagramit janë prekur nga ky problem i sigurisë.

Të ngjashme