Bllokimi i disa zonave të thella malore nga reshjet e borës, për kreun e Emergjencave Civile, Haki Çako vjen si rezultat i mungesës së marrjes masave nga njësitë bashkiake.
Çako thotë se është pushteti lokal ai që duhet të paracaktojë masat në raste të tilla.
“Nuk janë kapacitete pa limit që mund të zhbllokojnë të gjitha rrugët rurale të Shqipërisë, pasi shumë bashki nuk kanë përcaktuar sasinë e investimeve që duhet të bëjnë për rastet e emergjencave, ndërsa mungojnë edhe shumë kontrata për rrugë rurale.
Shumë banorë presin nga pushteti lokal, që t’i gjendet pranë në kushte të tilla”.Sipas Çakos, të gjitha kapacitetet e Emergjencave Civile janë në gadishmëri për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e dëborës.
“Të gjitha kapacitetet janë vënë në dispozicion. Rreth 2 mijë forca janë aktive dhe vazhdojnë të shërbejnë. Vështirësia për t’i hapur ato është e madhe, pasi mjetet borëpastrues nuk mund të punojnë, pasi infrastruktura është e papërshtatshme”.
Kreu i Emergjencave Civile kërkoi nga kompanitë që kanë kontrata për mirëmbajtjen e rrugëve, t’i zbatojnë ato me përgjegjshmëri si dhe të rrisin kapacitete e tyre për të zgjidhur situatën në zonat kritike, ku bora ka arritur deri në 1 metër.