Erling Haaland thotë se starti i furishëm i tij te Borussia Dortmundi nuk duhet të jetë befasues për tifozët e klubit, pasi ai e ka bërë këtë gjithë jetën.
Tinejxheri norvegjez ka qenë sensacion këtë stinor, duke realizuar 28 gola për Red Bull Salzburgun në pjesën e parë të stinorit, para se të shënonte 12 gola me Borussia Dortmundin, që nga transferimi në janar.
Haaland thotë se thjeshtë gjithë jetën është marrë me shënim të golave.
“Unë jam duke e bërë këtë gjithë jetën time. Është ajo që kam dashur të bëjë kur të rritem. Është ajo që bëjë. Gjithmonë e kam ditur se do të jem një lojtar i mirë, por gjërat kanë ecur shpejt. Më pëlqen ajo shpejtësi!” – ka deklaruar Haaland 19-vjeçar për “FourFourTwo”, transmeton Koha.net.
Haaland nuk ka shpenzuar kohë për t’u përshtatur në Bundesligë dhe ai qysh tash ia ka vënë syrin titujve me klubin e ri.
Ai po ashtu ka përgëzuar të gjithë te Dortmundi për mikëpritjen që ia kanë bërë.
“Me rëndësi është të arrijmë diçka me skuadër. Ne jemi në gjendje të bëjmë këtë. Starti ka qenë fenomenal dhe klubi më ka ndihmuar shumë. Nuk është e lehtë të ndërrosh klub në mesin e stinorit. Unë po ndjehem si në shtëpi”, ka shtuar Haaland.
Haaland ishte kërkuar nga Manchester Unitedi në janar, por ai u përcaktua për Dortmundin.
“Është mirë kur klubet interesohen. Do të thotë se ke bërë diçka si duhet”, ka thënë 19-vjeçari.
Te Manchester Unitedi ai do të ishte bashkuar me Ole Gunnar Solskjaerinb, ish-trajnerin e tij te klubi norvegjez Molde
“Unë Moldes iu bashkova shumë i ri dhe ai më ndihmoi shumë. Ole ishte shënues shumë i mirë dhe më ndihmoi të përfeksionojë gjuajtjen dhe po ashtu metoda tjera të konkretizimit të rasteve. Ai ka qenë shumë i rëndësishëm në karrierën time”, ka thënë Haaland.
Mirëpo, ai është duke u përqëndruar në jetën e tij te Dortmundi dhe thotë se ka pasur një ndjenjë shumë të mirë kur iu bashkua klubit gjerman. Ai ka vlerësuar lartë tifozët e Dortmundit.
“Gjithë tifozët këtu janë të jashtëzalonshme. Kam pasur një ndjesi të mirë për Dortmundin nga momenti i parë dhe kjo është arsyeja pse gjendem këtu. Më ka pëlqyer gjithë klubi, historia, njerëzit në klub dhe mënyra se si drejtohet. Kështu që me ekipin vendosëm se Dortmundi është opsioni më i mirë. Dhe i tillë është”, ka deklaruar 19-vjeçari.
Çdo futbollist ka një idhull, e idhulli i Haalandit është Zlatan Ibrahimoviq.
“Më pëlqen mentaliteti i tij dhe se si i sheh gjërat ndryshe. Mendoj se gjithmonë kam pasur atë besim në vete, siç ka edhe vet ai. Po ashtu më pëlqen se si lëviz nga një klub në tjetrin, e nga një shtet në tjetrin, që nuk është e lehtë. Por, ai gjithmonë ka shënuar shumë gola. Më pëlqen kjo”, ka thënë Haaland. “Ne të dy jemi sulmues dhe të dy jemi të gjatë. Por, kemi një lojë ndryshe. Është e vështirë të krahasohemi. Unë jam ky që jam”.