Reuters ka raportuar se ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley do të udhëtojë në Vienë gjatë këtij muaji, për të diskutuar aktivitetet bërthamore të Iranit, me Agjencinë e Energjisë Atomike që funksionon në kuadër të OKB-së.
Duke cituar zyrtarë amerikanë anonimë, Reuters, ka thënë se udhëtimi ka të bëjë me rishikimin e zbatimit të marrëveshjes së vitit 2015, që ka Teherani me fuqitë botërore.
Gjatë muajit prill, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pati urdhëruar një rishikim të marrëveshjes për të vendosur më pas, nëse duhet larguar disa sanksione amerikane ndaj Iranit, dhe nëse këto veprime janë në interes të SHBA-së.
Marrëveshjen e vitit 2015 që Irani ka me fuqitë botërore, Trump e ka cilësuar si “marrëveshjen më të keqe të bërë ndonjëherë”.
Shumica e sanksioneve të OKB-së dhe vendeve perëndimore janë hequr nga Irani 18 muaj më parë, sipas marrëveshjes, e cila përcaktonte se lirimi nga sanksionet do të bëhej në këmbim të zvogëlimit të aktivitetit bërthamor.
Mirëpo Irani vazhdon të përballet me kufizime të tjera, të cilat nuk janë pjesë e marrëveshjes.