Zëdhënësja politike e LDK-së dhe anëtare e Kryesisë, Sibel Halimi, ka reaguar pasi minatorët e Trepçës ndodhen në grevë qe 5 ditë, derisa kërkesat e tyre po injorohen nga Qeveria e Kosovës.
Përmes një shkrimi në Facebok, Halimi ka thënë se derisa kryeministri Albin Kurti po ligjëron për lidership, 24 minatorë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Ata janë në grevë që 5 ditë, të braktisur e të përbuzur nga institucionet shtetërore, në kërkesat legjitime për dinjitetin e tyre!”, ka shkruar ajo.
Halimi i është referuar deklaratave të Kurtit të bëra sot në konferencën me temë “Lidershipi në kohë sfiduese”, të organizuar nga kolegji UBT.
Sipas kryeministrit, dy cilësitë kryesore të një lideri të mirë janë efektiviteti pragmatik për të tërhequr dhe mirëmbajtur ndjekës ose mbështetës dhe përkushtimi parimor ndaj një kauze të drejtë, sepse siç ka thënë ai, pragmatizmi pa parime është bosh, kurse parimi pa pragmatizëm është i pafrytshëm.