Halimi i pakënaqur me trajnerin dhe klubin: Jam i mërzitur për mënyrën se si u sollën me mua

Prishtinë | 01 Qer 2019 | 15:39 | Nga Ekonomia Online

Besar Halimi e ka gjetur golin në Danimarkë me Brondbyn. E përfundoi sezonin me 5 gola e 4 asiste në 28 ndeshje.

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës shënoi për t’i kaluar të tijtë në epërsi në minutën e 72’, shtatë minuta pas inkuadrimit në lojë.

Halimi shënoi pas harkimit të Dominik Kaiserit nga këndi për të kthyer rezultatin në 3-2, dhe stadiumi i Brondby shpërtheu.

Halimi nuk e festoi golin, pasi është i zhgënjyer me vendimet e trajnerit.

Pas ndeshjes, futbollisti i “Dardanëve” pranoi se nuk kishte ndierë mirëseardhje në klub për një kohë të gjatë – dhe këtë ai e arsyeton me ndërrimin e trajnerit.

“Ka qenë sezon i vështirë për ekipin dhe për mua personalisht, kështu që goli ishte ajo që mund të quhet një kthesë e mirë”, thotë ai. “I ndihmova ekipit dhe klubit në fitore dhe pres me padurim sezonin e ardhshëm, ku ne do të luajmë shumë më mirë”.

Ai rrëfen edhe për gjendjen emocionale të javëve të fundit, duke thënë se s’ka qenë i lumtur.

“Kam qenë shumë i zhgënjyer sepse, të them të drejtën, nuk luajta as në finale të kupës. Nuk pata rast, dhe më pas, natyrisht, mërzitem pak rreth mënyrës se si u sollën me mua javëve të fundit”, thotë ai me një buzëqeshje.

“Por tani ka përfunduar. Të them të drejtën, nuk u ndjeva i mirëseardhur këtu. Mirë nga fansat, por jo nga trajnerët. Por tani sezoni ka përfunduar”.

Besar Halimi, pas këtij sezoni të vështirë, tha se dëshiron të bëjë “një pushim të merituar”, por pas ndeshjeve kualifikuese për Evropian me Kosovën kundër Malit të Zi e Bullgarisë.

24-vjeçari ka bërë 28 paraqitje këtë edicion, ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar 4 asiste.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme