Halimi largohet nga Sandhauseni

Prishtinë | 14 Gus 2020 | 18:16 | Nga Ekonomia Online

Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Besar Halimi duhet të kërkojë skuadër të re. Ndonëse ka kontratë deri në vitin 2021, Halimi do të largohet nga Sandhauseni i Bundesliga 2 të Gjermanisë. Mesfushori kaloi te Sandhauseni rreth një vit më parë nga Brondby danez, por nuk ia doli të shfaq potencialin.

I luajti vetëm 14 ndeshje në Bundesliga 2 dhe realizoi një gol. Halimi nuk përshtatet në planet e klubit, që tashmë po kërkon për një mesfushor tjetër ofenziv.

“Ne u kemi thënë shtatë lojtarëve se nuk llogarisim më në ta. Lojtarët ende i takojnë grupit stërvitor, por kemi dashur të jemi të hapur dhe të sinqertë. I kemi njoftuar për këtë vendim sportiv në fazë të hershme”, ka thënë drejtori sportiv i Sandhausenit, Mikayil Kabaca për faqen zyrtare të klubit.

Halimi është në mesin e këtyre shtatë lojtarëve.

Halimi 25-vjeçar ka luajtur për Mainzin, FSV Frankfurtin, Stuttgarter Kickers dhe disa skuadra tjera gjermane. Te Brondby një edicion kishte shkëlqyer, por jo edhe në të dytin. Ai ka 15 ndeshje me Kosovën. Më herët ka luajtur edhe për të rinjtë e Gjermanisë.

Të ngjashme