Haliti demanton “të painformuarit”: S’kishte plan për vrasjen e Rugovës në Tiranë

Prishtinë | 17 Qer 2024 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Xhavit Haliti, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka publikuar një shkrim, përmes së cilit tha se do t’i demantojë “të painformuarit të cilët po spekulojnë se gjoja paska pasur kurth për ta vrarë Ibrahim Rugovën”.

Haliti tha se po paraqet “disa fakte” se “s’kishte plan për vrasjen e Rugovës në Tiranë”.

Ai shkroi se pas kthimit të delegacionit të Kosovës nga Konferenca e Rambujesë më 1999, “Rugova në Aeroportin e Rinasit nuk e ka pasur asnjë shqetësim”.

Shkrimi i plotë:

S’kishte plan për vrasjen e Rugovës në Tiranë

Kjo është e vërteta lidhur me uljen e aeroplanit në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, me anëtarët e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujes (Parisit).

Po i paraqes publikisht disa fakte për t’i demantuar të painformuarit të cilët po spekulojnë se gjoja paska pasur kurth për ta vrarë Ibrahim Rugovën.

Pas përfundimit të Konferencës së Rambujes dhe nënshkrimit të marrëveshjes në Paris, delegacioni i Kosovës po bëhej gati të kthehej në Kosovë, por siç na u komunikua nga ndërmjetësuesit, aterimi i aeroplanit me të cilin do të udhëtonim nuk do të lejohej në Aeroportin e Prishtinës.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë ishin të shqetësuar.

Me propozimin tonë, pra të delegacionit të Kosovës u vendos që aeroplani ushtarak të ateronte në Tiranë dhe në Shkup.

Ata që donin të ndalojnë në Tiranë, do të zbrisnin në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, kurse ata që donin të rrinin në Shkup apo të udhëtonin për në Kosovë do të zbrisnin në Aeroportin e Shkupit.

Anëtarët e delegacionit nga UÇK-ja vendosën të ndalen në Tiranë dhe disa pas dy apo tri ditësh nëpërmjet rrugëve tokësore u futën në Kosovë.

Para se të nisej aeroplani u lidha nëpërmjet telefonit me presidentin Rexhep Mejdani.

I tregova se do të zbrisnim në Tiranë dhe i propozova që si president do të ishte mirë ta priste delegacionin e Kosovën në Aeroportin e Rinasit.

Gjatë bisedës hezitoi për shkaqe protokolli, por kur zbritëm, presidenti Mejdani ishte duke na pritur.

I gjithë delegacioni zbriti nga aeroplani, në përjashtim të Rugovës.

Pasi u vendosëm në sallën VIP të Aeroportit të Rinasit, ambasadori francez me disa nga stafi i Mejdanit shkuan dhe e sollën Rugovën në sallën ku ishim.

Rugova duket në disponim të mirë. Mbase, edhe për arsye se pas prishjes me Sali Berishën, për katër vite nuk kishte qëndruar në Tiranë.

Takimi ishte shumë i hapur dhe vëllezëror.

Rugova u zotua se shumë shpejt zyrtarisht do ta vizitonte Tiranën.

Pas bisedave ndërmjet Mejdanit dhe Rugovës, si dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit të Kosovës dhe pasi pushuam pak, Rugova me një pjesë të delegacionit u nisën për në Shkup.

E nga Shkupi se si kanë hyrë në Kosovë nuk jam në dijeni, por Rugova në Aeroportin e Rinasit nuk e ka pasur asnjë shqetësim.

Të ngjashme