Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti ka lajmëruar deputetët se sot kryetari i parlamentit të Kroacisë ka ndërprerë vizitën në Beograd, pasi që Vojislav Sheshel ka thyer shtizën e flamurit kroat dhe ka përdhosur flamurin e këtij vendi.
Haliti tha se shteti kroat ka kërkuar edhe nga parlamenti i Kosovës ta dënojnë së bashku këtë akt depuetët e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Ma lejoni t’ju informoj rreth një çështje që na takon edhe neve ta shqyrtojmë, një akt tepër të rëndë antidemokratik, antievropian pa ndonjë moral politik. Sot kryetari i parlamentit të Kroacisë ka qenë në vizitë në Serbi dhe përderisa ka qenë brenda në parlament, z.Sheshel ka thyer shtizën e flamurit kroat dhe ka shkelë flamurin me grupin e vet parlamentar. Delegacioni kroat ka ndërprerë vizitën në Beograd dhe është kthyer në Kroaci. Kryetari i parlamentit të Kroacisë ka gëzuar mbështetjen e shtetit të vet dhe deputetëve të parlamentit kroat, po e them këtë për faktin se shumë herë po ballafaqohemi edhe ne me probleme që i takojnë më shumë nacionalizmit të tipit Millosheviq e Sheshel. Besoj që na takon edhe neve ta dënojmë si akt të gjithë së bashku. Mjafton që parlamenti i Kosovës është dakord dhe e dënon si të tillë duke ndërprerë vizitën e një kryetari të parlamentit të një shteti që kanë njohur njëri-tjetrin”.