Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, me shqyrtimin e Projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se me këtë projektligj kanë pasur dy objektiva si synim, atë për sigurimin e të drejtave të burgosurve dhe çështjen e rregullimit të qendrës korrektuese.
“Kur e kam marrë mandatin nga kërkesat e para ka qenë nga stafi korrektues i Kosovës që lidhen me shërbimet brenda qendrës korrektuese dhe që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre që me ligjin aktual nuk u garantohen. Jam i vetëdijshëm se një ambient ku bashkëveprojnë rendi dhe siguria nuk është ambient i lehtë për tu menaxhuar. Jam përpjekur të ndërtoj një konsensus që rendi dhe siguria dhe të drejtat e njeriut të gjejnë një përputhje. Është propozuar rikonstruktimi dhe funksionalizimi i njësive ekonomike brenda qendrës korrektuese. Njësia ekonomike themelohet nga qeveria. Është propozuar formimi i njësisë për personat e dënuar. Janë inkorporuar të gjitha standardet”, ka thënë Tahiri.
Ai tha se i është kushtuar vëmendje çështjes shëndetësore të të burgosurve dhe janë përcaktuar procedurat për shërbimin korrektues dhe procedurat e ankesave.
“Është para krijimi i mekanizmave të ankesave në rast të dyshimit të keqtrajtimit. I kemi dy objektiva, të drejtat e të burgosurve dhe çështjen e rregullimit të qendrës së korrektimit”, tha ai
Ndërsa, grupet parlamentare u pajtuan me rregullimin e këtij projektligji.
Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, tha se në burgje janë përmirësuar kushtet për të burgosurit.
“Nëpër burgje kanë ndryshuar pozitivisht kushtet edhe për të burgosurit edhe qëndrimi aty. Një kohë ata edhe rrogat i kanë marrë nga shtëpia. Koha e sotme është çështje krejt tjetër. Ne kemi në Kosovë ligj modern, por nuk e aplikojmë në kushtet e sotme sepse në burgje dihet që ka kontrabandë të madhe, ka drogë. Çështja tjetër është gjithmonë në burgje janë kontrabanduar gjërat të cilat ja kanë mundësuar të burgosurve me u arratisë. Ndoshta ata që e kanë menduar ligjin, kanë pa që kanë hy sharra speciale përmes ushqimit sepse çdo i burgosur unë mendoj që ka menduar si të arratiset”, tha Haliti.
“…Unë nuk po them t’i kufizohen të drejtat të burgosurve. Problemi është që në burgje ka njerëz të mirë që kanë rastis kanë hy për çështje të caktuara, por ka edhe të burgosur kriminelë të regjistruar që nëse dalin jashtë janë të rrezikshëm. Cilat janë të drejtat e të burgosurve. Nuk mjafton sot për të burgosurve veçanërisht të rinjve hajde po u mësojmë deri klasën e 8. Me iu mundësua studimet deri në universitet, me iu mundësua me marrë zanate. Kjo është detyra e shtetit me i socializu ata që janë të inkriminuar. Nëse është në pyetje vetëm me iu qu pite në rregull, me dalë apët ata nëpër kazino, me vra njerëz është keq”.