Xhavit Haliti ka thënë se është me rëndësi të veçantë zgjedhja e diplomatit gjerman Peter Beyer në funksionin e raportuesit për Kosovën në Këshillin e Europës.
”Ka qenë një proces i gjatë i angazhimeve të të gjitha segmenteve që kanë të bëjnë me diplomacinë e jashtme”.
”Po të zgjidhej rusi Aleksey Kondratyev do të kishte pasoja të rënda dhe raporti i tij do të binte në Këshillin Europës, ngjashëm siç ka qenë në rastin e Dick Marty, do të kishte pasoja të paparashikueshme”.
Nënkryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti nga Berlini tha për Klan Kosovën se angazhimet për të dalur triumfues në këtë proces, ishin të mëdha.
”Me të marrë vesh kemi nisur lobimin me delegacione të huaja. Përfaqësuesve, iu kam dërguar nga një letër ku kam shprehur shqetësimin në emër të Parlamentit të Kosovës për ta zgjedhur një përfaqësues më neutral”.
Haliti më tej ka treguar se si rrodhi tërë procesi i kandidaturës dhe sa emra ishin garues për postin e raportuesit për Kosovën.
”Kanë qenë tre përfaqësues, një nga Holanda, nga Gjermania dhe ai i Dhomës së Rusisë. Ai i Holandës me marrëveshje është tërhequr nga kandidatura, dhe mbesin vetëm këta të dy në garë”.
”Votimi ishte fer, i fshehtë dhe rezultati është siç e keni marrë vesh 33 vota për Peter Beyer dhe 6 vota për rusin Aleksey Kondratyev. Ajo çka ka qenë me rëndësi ishte reagimi i delegacionit nga Serbia që kërkuan që nga mbledhja të largohej ish-ambasadorja e Kosovës Mimoza Ahmetaj e cila erdhi që të jetë në mbledhje”.
”Duke qenë se në çështje të ndjeshme nuk lejohet pjesëmarja e përfaqësuesve në mbledhjet e Këshillit të Europës, u zhvillua një debat me protestë të madhe nga delegacioni serb”.
Ai e cilësoi sukses të Kosovës edhe dështimin që këtë detyrë ta merrte rusi, Aleksey Kondratyev.
”Është sukses i popullit të Kosovës, sepse nuk ka nevojë të shqetësohen se nesër nga Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës do të raportojë një rus. Edhe pse Peter Beyer është gjerman, ne duhet të zbatojmë rregullat në Kosovë”.
Xhavit Haliti ka falënderuar për lobim Ervin Bushatin nga Parlamenti i Shqipërisë, Adnan Dibranin nga Parlamenti i Suedisë dhe dhe Mimoza Ahmetin ( konsulle e përgjithshme e Kosovës në Starsburg).