Me prezencën e koalicioneve PAN e LAA dhe të përfaqësuesve të minoriteteve, por pa praninë e lëvizjes “Vetëvendosje”, sot do të mbahet edhe takimi tjetër konsultativ mes partive me ndërmjetësimin e kryesuesit të seancës konstituive, Adem Mikullovci.
Kryesuesi i seancës ka thirrur këtë takim, që sipas tij do të jetë i fundit i këtij lloj me vetëm një pikë të rendit të ditës – që koalicioni PAN të propozojë ditën kur ata do të shkojnë në Kuvend për të propozuar kandidatin e tyre për kryeparlamentar, në mënyrë që të zhbllokohet themelimi i institucioneve.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së Xhavit Haliti, e ka konfirmuar për gazetën “Zëri” praninë e përfaqësuesit të PAN-it në këtë takim. “Aty do të jetë kryetari i Grupit Parlamentar Enver Hoxhaj, ai është përfaqësues i PDK-së që merr pjesë në takim. Nuk kemi ndryshuar deklaratë nga dje”, tha ai.
Në takimin e fundit konsultativ, të mërkurën e kaluar, zyrtarët e koalicionit PAN, Pal Lekaj dhe Enver Hoxhaj, ishin pajtuar që pas takimit të radhës (sot) do të vendosnin për ditën në të cilën do të marrin pjesë në seancë.