Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, thotë se e ka marrë vesh prej medieve se qenka dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Albin Kurtit.
Haliti, i cili është gjobitur me 200 euro për mosparaqitje në gjyq, ka kërkuar nga gjyqtari Beqir Kalludra t’i kërkojë falje për komprementimin e tij publik.
“Sot, mora lajmin nëpërmjet mediave se qenkam dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Albin Kurtit. Gjithashtu edhe për dënimin e shqiptuar ndaj meje prej 200 eurosh për mospjesëmarrje për të dëshmuar për këtë rast në gjykatë”, thuhet në reagimin e Halitit, transmeton Ekonomia Online.
“Hajde gjykatës Kalludra hajde!”
“Po si të vij dëshmitar pa u njoftuar asnjëherë që jam dëshmitar, pa më dërguar ftesë asnjëherë, apo u dashka që për kapriçot tuaja të shqiptoni dënime komprometuese duke keqpërdorur ligjin?”
“Për hir të opinionit dhe jo për ndonjë shqetësim tjetër dua të njoftoj se: nga gjykata s’kam marrë asnjë herë njoftim as thirrje për të qenë dëshmitar. Prandaj duke marrë këtë për bazë, publikisht kërkoj nga gjyqtari Kalludra që të respektoj rregullat për ftesën e dëshmitarëve dhe në përputhje me këtë të zbatojë ligjin”, thekson nënkryetari i Kuvendit, nga radhët e PDK-së.
Në fund, Haliti kërkon që për “komprometimin e tij publik”, gjyqtari Kalludra t’i kërkojë falje publikisht.