Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti e ka cilësuar lajm të mirë lirimin e tre policëve kufitarë të kidnapuar nga forcat serbe.
Haliti në emisionin “Ditari” në Tëvë1, theksoi se tani është koha që të ndërmerren hapa drejt vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij, të përfundojnë “lojërat” të cilat Haliti tha se po bëhen me qëllim nga kryeministri kosovar, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Është mirë që janë liruar po shpresoj që të qiten hapa drejtë fillimit të negociatave në mes të dy qeverive, mes të dy vendeve tona. Dhe uroj që së shpejti të përfundojnë këto lojëra, t’i quaj lojëra elektorale, lojëra të cilat kanë për qëllim më shumë ngritjen e peshës së individëve ose të atyre që udhëheqin me dy vendet përkatëse në këtë variant”, tha Haliti.
“Unë mendoj që Vuçiqi ka vështirësitë e veta sepse ka protesta shumë në gjithë Serbinë, duke kërkuar lirimin e tij nga politika, ndërsa edhe në Kosovë po mendoj Qeveria thirret shpesh në ato anketat që i bëjnë kush po fiton më pak dhe sondazhe të ndryshme…”, shtoi Haliti.
Ndryshe, Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi, ishin arrestuar më 14 qershor, me pretendimin se kanë hyrë në territorin e Serbisë, e më pas kanë dalë para gjykatës më 16 qershor, ku ndaj tyre ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji