Gjendja në Komunën e Vitisë është e qetë, pavarësisht se shtatë prej të infektuarve me coronavirus vijnë nga kjo komunë dhe e gjithë komuna është në karantinë. Por, qytetarët po e kanë problem që të furnizohen me ushqim dhe barna, si dhe kanë mungesë të pajisjeve mbrojtëse.
Kryetari i kësaj komune, Sokol Haliti i ka thënë se nuk kanë pasur ndonjë rast të ri të dyshuar me coronavirus, derisa ka folur edhe për gjendjen e të infektuarve nga kjo komunë. Sipas Halitit, përveç 77-vjeçarit, gjendja e të tjerëve është e mirë.
Haliti ka thënë se qytetarët nga kjo komunë po e kanë problem që të furnizohen me ushqim dhe barna dhe se po kanë mungesë të pajsijeve mbrojtëse.
“Gjendja është e qetë. S’ka panik të qytetarët. Jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat. Nuk ka pas ndonjë rast të ri të dyshimtë. Gjendja e të infektuarve është e mirë, përveç 77-vjeçarit që ka qenë pak më keq. Jemi duke e pastru dhe dezinfektu qytetin. Por, na ka dalë problem se Qeveria e ka fut në karantinë Vitinë e Klinën, e Kllokotin që gjendet në mes jo. Qytetarët po e kanë problem me u furnizu me ushqim dhe medikamente, si dhe kemi mungesë të pajisjeve mbrojtëse”, ka thënë Haliti shkruan Express.
Ndryshe, mbrëmë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se është konfirmuar edhe një rast i ri me coronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 16.
Përmes një njoftimi në faqen zytare në Facebook, IKSHP-ja ka bërë me dije se e infektuara ka arritur dje nga Londra dhe se gjendja e saj është stabile.
“Pas mesnate në laboratoret e IKSHPK u konfirmua 1 (një) rast i ri pozitiv me COVID-19. Personi i gjinisë femrore, shtetase e Kosovës ka arritur të hënën në Kosovë nga Londra. Gjendja e saj është stabile. Deri tani nē laboratoret e IKSHPK u testuan 271 persona prej të cilëve kanë rezultuar 16 pozitiv në SARS CoV-2”, thuhet në njoftim.
IKSHP’ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë distancë nga tjeri dhe që të reduktojnë daljet përveç në raste emergjente.
“Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.