Mbrëmë për festën e 31 tetorit, e njohur si “Nata e Shtrigave- Halloween”, fëmijët në Prishtinë kanë zgjedhur një mënyrë të veçantë për ta festuar atë.
Fëmijët në kryeqytet në orët e mbërmjes kanë filluar të gjuajnë vezë në drejtim të autobusëve të trafikut urban, shkruan Indeksonline.
Në bazë të të dhënave, 51 autobusët sa ka gjithsej në funksion Trafiku Urban, janë gjuajtur me vezë dhe kanë qenë të njollosur.
E kjo po del se i ka kushtuar shtrenjtë buxhetit të Prishtinës.
Lulzim Rexhepaj, Kryeshef Ekzekutiv në Trafikun Urban, për Indeksonline ka treguar gjerësisht për dëmet që janë bërë natën e fundit të tetorit..
“Gjatë natës së mbrëmshme një autobus ka pasur thyerje të xhamit anësor, një tjetër autobus ka pasur thyerje të pasqyrës së jashtme, një tjeter ka pasur thyerje të dritës kryesore ndriçuese të anës së djathte dhe një tjeter një drite kryesore ndriçuese në anën e majtë perpara.
Të gjithë autobusët (51) janë gjuajtur me vezë dhe kanë qenë të njollosur për të cilët jemi angazhuar gjatë natës për pastrim me detergjente speciale, në mënyrë që për ditën e sotme të jenë të gatshëm për qarkullim”, ka thënë ai.
Mëgjithatë, nuk do të ketë mungesë të linjave të autobusëve.
Vetëm një autobus, sipas kryeshefit, është jashtë funksionit, pasi që është në riparim për shkak të xhamit të thyer, shkruan Indeksonline.
Rexhepaj ka bërë të ditur se dëmi që është bërë mbrëmë në autobusë për shkak të hedhjes së gurëve, i kushton komunës së Prishtinës 5 mijë euro.
“ Ekipi i mirëmbajtjes ka bërë vlerësimin e dëmit duke përfshirë edhe shumë lëndime (dëmtime) që kanë pësuar autobusë të tjerë nga hedhja e gurëve për të cilët do të angazhohen gjatë natës së sotme punëtorët e riparimit të llamarinës dhe ngjyrosjes, kështu që dëmi i pergjithshëm është rreth 5,000.00 € (pesë mijë euro)”, tha ai për Indeksonline.
Por këto veprime të fëmijëve kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme, me ç’rast kryetari Shpend Ahmeti ka bërë thirrje që të mos dëmtohen më autobusët.