Piloti britanik Lewis Hamilton fitoi garën për Çmimin e Madh të Kanadasë për skuderinë e Mercedesit në mënyrë të diskutueshme të dielën, pasi Sebastian Vettel i Ferrarit e kaloi vijën e finishit i pari, por mori një dënim prej pesë sekondave.
Vettel e nisi garën nga “pole-position” dhe ia doli ta përfundonte i pari, por në garazhin e Ferrarit nuk ishte asnjë festë. Kjo për shkak se piloti gjerman përfundoi vetëm i dyti, pas dënimit që mori shkaku i një hyrjeje të rrezikshme pas daljes nga shtegu, shkruan sot Koha Ditore.
Nën presionin e Hamiltonit, Vettel doli nga pista në rrethin e 48-të dhe përfundoi në bari, por u rikthye në shteg përpara britanikut që u detyrua të frenojë ashpër ose të aksidentohet. Gara vazhdoi derisa incidenti ishte në hetim e sipër dhe pas disa xhirove, Vettelit iu komunikua vendimi nëpërmjet radiolidhjes që nuk e priti edhe aq mirë. Ai shpërtheu nga nervozizmi për shkak se nuk mund të besonte që ishte penalizuar.