Hamiti: Ndryshimi që e provuan qytetarët më 2021, po del të jetë propagandë dhe korrupsion

Prishtinë | 26 Nën 2024 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se ata që e votuan LVV-në në vitin 2021 proklamuan se votuan “për ndryshim”. Por, sipas tij ndryshimin që provuan qytetarët doli të jetë propagandë dhe korrupsion, raporton Ekonomia Online.

Hamiti thekson se kjo kaste politike buxhetin e Kosovës po e bën rrush e kumbulla.

“’Për ndryshim’ deklaronin qytetarët që e votuan Qeverinë Vetëvendojse+Guxo në shkurt të vitit 2021. Ndryshimi që e përjetuan qytetarët, votues dhe jovotues, po del të jetë propagandë dhe korrupsion qeveritar katërvjeçar. Po ashtu, shkelje serike të ligjeve dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Buxhetin po e bën rrush e kumbulla kjo kastë pushtetore. Kosova është sanksionuar prej BE-së nga qershori i vitit të kaluar për fajin e kësaj Qeverie të Vetëvendosjes së Albin Kurtit. Vendi ynë nuk e ka marrë asnjë njohje ndërkombëtare në këto katër vjet. Qeveria nuk e ka siguruar asnjë anëtarësim ndërkombëtar të shtetit tonë”, ka shkruar ai.

Ai thotë se më 9 shkurt qytetarët e kanë mundësinë për të ndryshuar.

“Ndërkohë, propaganda dhe korrupsioni qeveritar po vazhdojnë. Me intensitet të shtuar tash, në vigjilie të zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit të vitit 2025. Ndryshimi që e provuan u doli i hidhur qytetarëve tanë. Kanë mundësi të votojnë ndryshe herën tjetër, për ta çuar Vetëvendosjen në opozitë të merituar”, ka theksuar Hamiti.

Të ngjashme