Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se lista zgjedhore e PDK-së për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit do të përfshijë emra dhe figura të reja, raporton Ekonomia Online.
Hamza foli para mediave pasi u pyet nëse pjesë e listës do të jetë edhe Fatmir Limaj me bashkëpunëtorët e tij nga Nisma Socialdemokrate.
“PDK-ja do të garojë në zgjedhje si PDK dhe me listën e saj. Brenda listës sigurisht që do të ketë risi, emra dhe figura të tjera”, deklaroi ai.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ku u diskutua për datën e zgjedhjeve, Hamza tha se PDK-ja është e gatshme për procesin zgjedhor, pavarësisht nëse ai mbahet më 31 maj apo më 7 qershor.
“Sipas nesh, çdo datë brenda afateve kushtetuese është e pranueshme, qoftë 31 maji apo 7 qershori. Ne jemi të përgatitur për zgjedhje. Shumica e partive politike në takim kanë qenë të përcaktuara për datën 7 qershor, por duhet marrë parasysh edhe puna dhe përgatitjet e KQZ-së. Prandaj jemi fleksibilë për cilëndo nga këto data”, u shpreh Hamza.
