Hamza falënderoi deputetët që votuan miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Prishtinë | 16 Maj 2024 | 13:43 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza tha se sot, deputetët e të gjitha partive i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim konkret në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë.

Hamza ka shtuar se përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve dhe interesi i vendit, ka qenë, është dhe do të mbetet misioni im i përhershëm në politikë.

“Qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë shumë më mirë. Sot, deputetët e të gjitha partive i votuan marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat kanë ndikim konkret në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve tanë. I falënderoj deputetët që votuan për miratimin e këtyre marrëveshjeve. Personalisht, jam mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithëve. 

Këto marrëveshje ndërkombëtare mund t’i sjellin Kosovës përfitime me miliona euro vetëm me dinamikën e punës që do ta krijojmë me qeverisjen e re.

Kjo ka qenë gjithmonë bindja ime dhe është qëndrimi im i shprehur së fundmi edhe publikisht më 4 prill.

Përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve dhe interesi i vendit, ka qenë, është dhe do të mbetet misioni im i përhershëm në politikë”, ka thënë Hamza.

Të ngjashme