Ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për një takim lidhur me diskutimet për formimin e institucioneve i janë përgjigjur pozitivisht kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në anën tjetër, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takim.
Kurti, i cili ushtron edhe detyrën e kryeministrit në detyrë, u ka dërguar ftesë liderëve të partive që gjatë mandatit të kaluar ishin në opozitë për të biseduar rreth formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Ftesa është bërë në ditën kur ka nisur të zbatohet afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Hamza: Para se të flitet për pozita, është me rëndësi programi qeverisës dhe mënyra si do të adresohen sfidat

Kryetari i PDK-së, Bedi Hamza është deklaruar pas mbledhjes së kryesisë së partisë, duke thënë se ia ka kthyer shkresën kryeministrit në detyrë Albin Kurti për takim, për nesër në ora 09:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Ia ktheva shkresën që PDK-ja është e gatshme të takohet nesër me Kurtin në ora 09:00 në ambientet e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ai.
Ai tha se për shkak të seriozitetit të situatës, takimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti duhet të bëhen në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme.
“Prandaj duke e ditur seriozitetin e situatës, mendoj që secili prej nesh duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme e serioze, duke filluar prej ftesës. Duke filluar prej ftesës, ftesa duhet të dërgohet në mënyrën, që me u dërguar nga kryetari i partisë më të madhe të mundshme të siguruar në Kuvendin e Kosovës, dhe të mbahet në objektet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Datat e propozuara ka qenë sot, ora 17:00, dhe janë datat nesër në ora 8:00, në ora 9:00, ose ora 18:00. Sigurisht se unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme, në mënyrë institucionale. Nuk jam kundër që të ketë takime, mirëpo para se me folë për pozitat, e kam thënë dhe po e ripërsëris, është tepër e rëndësishme prioritetet, vizioni për qeverisjen, programi, adresimi i sfidave të cilat i ka Kosova. Nëse nuk ka dakordim për këto, nuk është qëllimi i Partisë Demokratike të Kosovës t’i ketë një numër të caktuar të ministrive, ta ketë një kryetar të Kuvendit apo presidentin apo çfarëdo qoftë”, tha Hamza.
Abdixhiku i thotë “po” ftesës së Kurtit: Do të flasim për parime fillimisht
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke theksuar se LDK-ja do të jetë pjesë aktive në procesin e formimit të institucioneve të reja të vendit, raporton Ekonomia Online.
Pas mbledhjes së Kryesisë Qendrore të LDK-së, Abdixhiku tha se gjatë takimit janë diskutuar rezultatet e zgjedhjeve të fundit dhe zhvillimet politike në vend.
“Sot, një ditë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, mbajtëm, siç e dëgjuat e e patë, mbledhjen e Kryesisë Qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nëpërmjet të cilës i diskutuam edhe rezultatet e fundit zgjedhore në zgjedhjet nacionale të 7 qershorit, por dhe zhvillimet politike drejt formimit të institucioneve. Tani do të dalim me një deklaratë, besoj që deklaratën do ta shihni edhe do të jetë publike, në të cilën deklaratë vlerësojmë punën dhe angazhimin e strukturave tona, vlerësojmë punën dhe angazhimin e kandidatëve tanë në procesin e fundit zgjedhor, vlerësojmë rezultatin e arritur dhe i falënderojmë të gjitha strukturat për punën e madhe që e kanë bërë. Dhe në të njëjtën kohë shprehim gatishmëri që LDK-ja të jetë pjesë aktive, aq sa mundet, brenda parimeve të veta që i ka dhe vlerave që i përfaqëson drejt formimit të institucioneve të reja të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Abdixhiku konfirmoi se ka marrë një ftesë zyrtare nga Kurti për një takim në formatin 1+1 dhe se do ta pranojë atë.
“Unë sot kam marrë një letër-ftesë për takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti, në formatin 1+1. Pra, këtë herë do të takohemi dy me dy. Dhe do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese. Besoj që kohën e takimit do ta aranzhojnë ekipet tona, por ky le të jetë një takim i parë dhe po ashtu do të provoj të takohem dhe me liderë të tjerë të partive politike, të PDK-së e AAK-së, për të parë dhe kuptuar dhe pozicionet e tyre. Në këtë fazë do ta bëj publike, për gjithë vendin, që ky është komunikimi i parë që kemi pasë deri më tani. Pra, nuk ka pasur komunikime paraprake, nuk ka pasur komunikime të tjera. Ky është komunikimi i parë zyrtar që kemi pasur që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe prandaj s’mund të jap më tepër informacione pa u ulur në takim”, tha ai.
Ai shtoi se LDK-ja fillimisht do të diskutojë për parimet mbi të cilat do të ndërtohen institucionet e reja.
“Ne do të flasim për parime fillimisht. Pra, parimet e LDK-së tashmë janë bërë publike. I kemi bërë publike disa herë, që do të flasim për një trajtim gjithëpërfshirës të të gjitha institucioneve. Brenda kësaj gjithëpërfshirjeje të ketë balancë mes palëve që i ndërtojnë institucionet. Por do të shohim dhe dëgjojmë dhe palën tjetër se çfarë mendimi ka në këtë drejtim”, tha ai.