Hamza: Jam i gatshëm të marr përgjegjësinë për formimin e Qeverisë, nëse dështon VV-ja

Prishtinë | 28 Mar 2025 | 11:22 | Nga Gzim Mujaj

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë në rast se dështon ta bëjë një gjë të tillë Lëvizja Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media të premten, Hamza ka kërkuar që partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, të provoj në kohë dhe pa vonesa në formimin e institucioneve. Hamza ka thënë se preferon një koalicion me LDK-në dhe partitë tjera opozitare.

“Procesi deri në shpalljen e rezultateve dhe certifikim është stërzgjatë pa nevojë që deri në një masë e ka zbeh edhe suksesin e këtyre zgjedhjeve. Kjo është për t’u shqetësuar dhe për t’u adresuar që të mos përsëritet në të ardhme. Unë besoj që duke respektuar Kushtetutën partia e parë do të provoj në kohë dhe pa vonesa formimin e institucioneve. Në rast se partia e parë nuk arrin brenda afateve ligjore dhe kushtetutës unë jam i gatshëm si kandidat i PDK-së të marr përgjegjësi për formimin e qeverisë. Jam në komunikim me partitë opozitare, me partitë që kemi”, u shpreh Hamza.

Hamza ka thënë se komunikim kanë pasur me LDK-në dhe AAK-në për mundësinë e bashkëpunimin, teksa hedh poshtë vijat e kuqe me të gjitha subjektet në vend.

“Vijat e kuqe nuk i preferoj. Jemi ne biseda, asnjë barrierë për asnjë politikan dhe parti nga ana ime nuk kam. Jemi në biseda edhe më LDK, AAK edhe partitë e tjera. Nëse vjen radha unë jam i përgjegjshëm dhe i përkushtuar që vendit t’i japim institucionet. Me disa parti jemi në rregull, jemi në fazën e diskutimeve. Me LDK ende nuk kemi mbërri më atë fazë që të diskutojmë formulën e formimit të Qeverisë. GP i PDK janë shumë homogjen në këtë drejtim, jam i bindur që votimi do të jetë i njëjtë prej të gjithë deputetëve të PDK. E kam mbështetjen e plotë”, ka thënë tutje Hamza.

Kandidati për kryeministër i PDK-së ka thënë se nuk kanë arritur të takohen me Lëvizjen Vetëvendosje, përkundër ftesës që i kanë bërë. Preferon një Qeveri me LDK-në dhe partitë tjera opozitare.

“Sa i përket krijimit të qeverisë në kemi marr iniciativë, i kemi ftuar dhe i kemi takuar partitë e tjera . Me VV deri në këtë moment nuk kemi komunikim zyrtar. Nuk kemi bërë ftesë, nuk na kanë bërë ftesë, dihet e kujt është radha. Është e preferuar krijimi i qeverisë me LDK dhe partitë e tjera opozitare. Sa i përket çështjes së presidentit është proces i ndarë, gjithmonë ka qenë sfiduese çështja e presidentit në Kosovë, megjithëse atë asnjëherë në Kosovë vendi nuk ka shkuar në zgjedhje për shkak të presidentit apo presidentes”, u shpreh ai.

Të ngjashme