Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, i ka uruar qytetarët për 28 Nëntorin, raporton Ekonomia Online.
Ai ka kujtuar edhe komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, daljen e parë publike të UÇK-së dhe krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë.
Po ashtu, Hamza ka kujtuar kryengritësin e madh shqiptar, Isa Boletinin, i cili vjen nga Mitrovica.
“Në këtë ditë të rrënjosur në vetëdijen kombëtare e historike të popullit tonë, i kujtojmë Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin, kryengritësin e madh shqiptar nga Mitrovica, i cili i jep edhe më shumë kuptim 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë. E kujtojmë komandantin Adem Jashari dhe familjen e tij, që me e nder, heroizëm e sakrificë të pashembullt dhanë jetën e tyre për t’i dhënë jetë lirisë sonë. Daljen e parë publike të UÇK-së, luftën heroike të djemve dhe vajzave tona, ish-krerët e UÇK-së që padrejtësisht po mbahen në Hagë – i kujtojmë dhe nderojmë. Atdhedashuria e tyre, idealizmi i tyre, na frymëzon në rrugën tonë! Nderime për ata që dhanë gjithçka për ta bërë Shqipërinë. Nderime për ata që dhanë gjithçka për ta bërë edhe Kosovën. 28 Nëntori është festë e trefishtë në Kosovë. Gëzuar!”, ka shkruar Hamza.