Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës ka diskutuar dhe e ka përkrahur kërkesën e Qeverisë së Kosovës lidhur me disa ndryshime në normën e tatimit të akcizës.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, para Komisionit paraqiti arsyetimin për lirimin nga tatimi i akcizës për prodhuesit që importojnë të lëndëve djegëse, e që kanë si burim të energjisë naftën, mazutin dhe gazin, raporton Ekonomia Online.
Ai vuri në pah nevojën e miratimit të kësaj kërkese, e cila sipas tij do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e prodhimtarisë vendore.
Hamza tha se ky vendim do të shkurtojë kohën dhe shpenzimet e prodhuesve.
“Kemi marrë vendim për lirim nga tatimi i akcizës për të gjithë prodhuesit. Pavarësisht se a importon vetë apo përmes kontraktorit. Përveç se ia shkurton kohën, jam i sigurt që do të ndrihmojë prodhuesit që të jenë më konkurrentë në treg”.
Mirëpo, vendimi nuk do të vlejë për prodhuesit individualë, siç janë bujqit.
“Të gjithë prodhuesit duhet ta kenë numrin si prodhues t’i plotësojnë kushtet… Këtu po flasim që lirohen vetëm prodhuesit, e jo bujqit individualë. Dallimi prej gjendjes aktuale është se këta kanë pasur të drejtë, por listën e prodhuesve nuk e bën Ministria e Bujqësisë. Ne e dimë se nëse hapim hapësirë për çfarëdo forme të lirimit nga akciza, si psh nafta, ne do ta dëmtonim ekonominë. Po ndryshon elementi i pagesës”, tha Hamza.
Ndonëse përkrahen vendimin e Qeverisë, anëtarët e Komisionit ngritën shqetësimin për mundësinë e keqpërdorimit të këtij përfitimi, dhe dëmtimin e mundshëm të prodhuesve individualë që përdorin lëndët djegëse.
Lumir Abdixhiku, kryetar u Komisionit, tha se pajtohet që kontrolli i bujqve është i vështirë, por ndoshta mund të merren praktikat e vendeve të tjera.
Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Naser Osmani, Blerim Kuqi dhe Enver Hoti shprehën shqetësimin për “ndarjen” e prodhuesve.
Hoti tha se përkundër faktit që ky vendim është i mirë ai gjithashtu bën ndarjen e e prodhuesve dhe ata individualë i lë anash.
Lidhur me shqetësimet e anëtarëve të komisionit, ministri Hamza tha se ka ende ka mundësi për t’u përmirësuar. Mirëpo siguroi anëtarët që kanë qenë mjaft të kujdesshëm që lirimi nga akciza të mos keqpërdoret.
Ai tha se të gjithë prodhuesit janë të listuar se cilët janë dhe si të tillë do të jenë përfitues. Ndërsa sa i përket prodhuesve individualë ai është shprehur se lirimi nga akciza nuk është bërë për prodhuesit individualë për shkak se është shumë i vështirë kontrolli.
Hamza tha se më mirë do të ishte që këta prodhues nëse i dëshmojnë shpenzimet që kanë pasur të mund të subvencionohen.
Më mbledhjen e Komisionit për Financa u shqyrtua edhe raporti financiar i buxhetit për vitin 2016.
Ministri Bedri Hamza para anëtarëve të komisionit paraqiti raportin i cili ishte i përbërë me ekzekutimin e buxhetit nga institucionet e Kosovës
Ky raport u miratua nga anëtarët e komisionit duke i hapur rrugë kështu miratimit në Kuvend.
Në këtë mbledhje u shqyrtuan gjithashtu raporti vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQRK), për vitin 2016, të cilin e paraqiti ushtruesi i detyrës së guvernatorit, Fehmi Mehmeti; si dhe Raporti financiar i Avokatit të Popullit për vitin 2016, të cilin e paraqiti udhëheqësi i këtij institucioni, Hilmi Jashari.
Pas shqyrtimit, këto raporte u miratuan nga komisioni, ndërkaq, është shtyrë për mbledhjen e radhës shqyrtimi i Raportit financiar të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2016.
Në fund të kësaj mbledhjeje, është shqyrtuar dhe përkrahur po ashtu edhe propozimi i Komisionit për përzgjedhje të anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.