Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se procesi gjyqësor në Hagë prek themelet e shtetit të Kosovës, duke kërkuar që të respektohet sovraniteti i Kuvendit dhe duke i cilësuar të papranueshme ndërhyrjet dhe presionet ndaj ushtrimit të mandatit të tij, raporton Ekonomia Online.
Hamza tha se Kuvendi ka ndërmarrë hapa përmes miratimit të një rezolute dhe një ligji që, sipas tij, synon të garantojë drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i palëve.
“Sot na kërkohet vendosmëri politike, pjekuri shtetërore, dhe qëndrime të qarta për çështjet që prekin themelet e shtetit. Dhe një prej çështjeve kryesore që po na i prek themelet e shtetit është procesi gjyqësor në Hagë. Ky Kuvend i ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për ta përmbushur përgjegjësinë për çka i falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. E kemi një rezolutë të miratuar me 99 vota të deputetëve. E kemi një ligj të miratuar me 88 vota të deputetëve, që rikthen në binar mandatin e dhomave të specializuara të cilat kanë dalë nga mandati që Kuvendi i Kosovës ia kishte besuar dhe dhënë para më shumë se një dekade. Ligjin nuk e kemi bërë për t’u pëlqyer, ligjin e kemi bërë për të garantuar drejtësi dhe pavarësi nga ndikimi i çfarëdo pale. Kosova nuk ka deleguar sovranitetin e vet. As dhomave të specializuara, as një trupi gjykues dhe as kujt tjetër”, tha ai.
Hamza u shpreh se, sipas tij, edhe Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të drejtën e Kuvendit për të kufizuar juridiksionin e Dhomave të Specializuara përmes ligjit. Ai kërkoi që të mos ketë presion ndaj Kuvendit në ushtrimin e kompetencave të tij.
“E sa i përket ligjit, edhe vetë dhomat e specializuara e Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar të drejtën e Kuvendit të Republikës së Kosovës për të kufizuar juridiksionin e dhomave të specializuara përmes ligjit dhe ky Kuvend si institucion sovran dhe përfaqësues i vullnetit të qytetarëve tashmë e ka bërë këtë. Prandaj, ndërhyrjet dhe presioni ndaj ushtrimit të mandatit të Kuvendit janë të papranueshme. Të nderuar kolegë, besoj se sot jemi në ditën e fundit të votit ligjor të Kuvendit për ta proceduar këtë ligj të Presidentja për dekretim. Po ashtu, besoj shumë se edhe Presidentja do ta dekretoj atë”, tha ai.
Kreu i PDK-së bëri të ditur gjithashtu se është takuar para dy ditësh me kryeministrin Albin Kurti, ndërsa tha se një ditë më parë është formuar grupi punues për hartimin e një strategjie shtetërore për apelin në rastin e katërshes së UÇK-së.
“Unë dhe kryeministri Albin Kurti jemi takuar para dy ditësh, për çka edhe e falënderoj. Dje është formuar grup punues për strategji shtetërore për apelin ndaj katërshes së UÇK-së”, tha ai.