Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza pas seancës së sotme lidhur me çështjen e presidentit ka thënë se ishte jo kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
“Po vërehet që kjo kohë vendin po e kalon në një situatë bukur komplekse, po sonte mosserioziteti, papërgjegjshmëria e kanë mbërritur kulmin. Ky është një puç kushtetues.
Është dashur shumë gjak, shumë mund, shumë sakrificë, shumë vuajtje që ne ta kemi lirinë, ta kemi shtetin, ta kemi kushtetutën. Vazhdimisht kemi thënë që për neve vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen, edhe atëherë kur ne mundemi me pasë ndonjë koment, po prapëseprapë janë vendime që respektohen.
Kjo çka ka ndodhur sonte, veç ka ndodhur shkelja kushtetuese. Është hyrë në procedurë të votimit çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes, në mënyrë kundërkushtetuese. Dhe kjo praktikë duhet të ndërprehet. Duhet të ndërprehet me qëllim që të ruhet stabiliteti politik, të ruhen institucionet e vendit. Në të kundërtën, sigurisht se ka rrezik edhe ky rrezik ka adresë, e adresa e kësaj është Lëvizja Vetëvendosje dhe zotëri Kurti. Unë nuk dëshiroj, nuk dua të besoj që me prodhuar situatë që vendin me e çu në anarki. Nuk mundet në mënyrë antikushtetuese me u zgjedh presidentja apo presidenti i vendit. Prej datës 25 dhjetor deri më sonte nuk ka pasur as sinqeritet, as seriozitet, as vullnet që vendi me i pasë komplet institucionet. Për më tepër ka pasur nga rendja qysh me i kapë institucionet, qysh me e bllokue shtetin, qysh mos me e respektuar kushtetutën e vendit”, tha Hamza.
