Qeveria e Kosovës kishte të drejtë kur e vendosi taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës, por tash duhet të dëgjohen thirrjet e partnerëve ndërkombëtar. Kështu ka deklaruar shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza në seancën ku po diskutohet lidhur me paralajmërimin e kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës.
“Ne kishim të drejtë kur vendosëm taksën, por ne duhet të jemi në koordinim me SHBA-në. Sot politika jonë ka nevojë për qartësi dhe përgjegjësi por kjo po i mungon kësaj qeverie.”, ka thënë Hamza.
Sipas tij, taksa është rezultat i veprimeve të Serbisë në raport me Kosovën.
“Serbia nuk ka kërkuar falje për viktimat e luftës, dhunës seksuale, të pagjeturve etj. Nuk ka zbatuar një pjesë të madhe të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, nuk ka respektuar marrëveshjen e CEFT-as, për energji, për diploma, hapjen e urës mbi lumin Ibër, pengimin e kthimit të qytetarëve në pronat e tyre… ndërkaq ka bërë luftë diplomatikë agresive për tërheqjen njohjeve, duke e penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL”, ka thënë Hamza.
Hamza ka shtuar se vendi ka prioritete, por prioritet i lartë është ruajtja dhe kultivimi i raporteve mike me SHBA-të dhe vendet e BE-së.
“Deri këtu kemi arritur bashkë, dhe besoj që e ardhmja e sigurte qëndron në partneritet dhe bashkërendim të plotë strategjik me SHBA-të dhe BE-në. Përkushtimi i madh i SHBA-ve dhe administratës Trump na obligon të veprojmë në përputhje me interesat gjeopolitik. Të gjithë ato që ne i dëshironim si shtet ti arrinim përmes taksës, sot nuk duhet t’i lëmë përgjysmë”, ka thënë Hamza.
Ai ka shtuar se kësaj qeverisje i mungon koordinimi. “Ju nuk jeni as gati e as bashkë përball qytetarëve. Ajo që duhet pyetur është se a janë të përgatitur institucionet dhe a kanë vizion të plotë për dialogun. A janë të gatshme për marrëveshjen finale me Serbinë”, tha Hamza.