Hamza premton subvencionim prej 100 eurosh për familjet që nuk gjejnë vend në çerdhet publike

Prishtinë | 01 Shk 2025 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka premtuar një masë mbështetëse për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhet publike, duke u ofruar një subvencion prej 100 eurosh për regjistrimin në çerdhet private.

Ai ka theksuar se kjo nismë ka për qëllim lehtësimin e jetës për nënat e reja, duke u mundësuar atyre të vazhdojnë karrierën ose studimet pa pasur shqetësime për kujdesin ndaj fëmijëve.

PDK synon që përmes kësaj mase të ndihmojë familjet në përballimin e kostove të kujdesit për fëmijët dhe të krijojë më shumë mundësi për gratë në tregun e punës.

“Në Kosovë bëhet më mirë kur familjet mbështeten më shumë. Për t’ua lehtësuar barrën financiare, ne do të ndajmë subvencion prej 100 eurosh për të gjitha familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhet publike, për t’i regjistruar ata në çerdhet private. Kjo nismë u dedikohet veçanërisht nënave të reja, për t’ju mundësuar që ta vazhdojnë karrierën ose t’i ndjekin studimet, pa u shqetësuar vazhdimisht për fëmijët e tyre”, ka thënë ai.

Të ngjashme