Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka prezantuar ofertën e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e presidentit.
Ai pati kritika dhe theksoi se oferta ishte jokushtetuese, raporton Ekonomia Online.
“Atëherë kjo e ka një kronologji. Jam midis të paktëve kryetarë të partive politike që nuk kam vendos vija të kuqe asnjëherë për asnjë subjekt politik. Pas përfundimit të zgjedhjeve e kam pranuar rezultatin zyrtar. Kam folur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, nuk kanë ndodh. Kam folur dhe kemi dhënë qëndrim si Parti Demokratike se në rast se ka kandidatë të propozuar nga familja Jashari, grupi parlamentar i PDK-së (Partisë Demokratike) 22 votat do t’i ketë në favor të një kandidati nga kjo familje. E dimë deklaratën e zotit Jashari. Për mua është e pranueshme, është e vlerësuar, është familje e cila është pak më ndryshe se të gjithë të tjerët për shkak të rolit dhe kontributit që ka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Përtej kësaj, nuk kam shku në takime pa formalizmat e duhur. Me një komunikim në WhatsApp, në ditë vikendi, në ndërtesën e Qeverisë… Në zyrën e Kryeministrit… Po, në zyrën e Kryeministrit, sepse është Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Dhe gjatë bisedave, qëndrimi im ka qenë ky: Presidenti të zgjidhet i propozuari apo e propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës, jo domosdoshmërisht që është pjesë e strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës. Edhe kjo temë nuk është pranu.
Kam folë për parime, për kritere, për marrëveshje dhe për emra. Po nuk mundesh ti me dhënë emrin pa pas një marrëveshje politike edhe një pajtim. Tutje, kemi kërkuar që të kemi ftesë zyrtare të cilën ne do ta diskutojmë brenda strukturave të Partisë Demokratike të Kosovës, në Kryesi dhe në Këshill Drejtues. Ne nuk kemi marrë ftesë zyrtare. Ftesë formale zyrtare nuk kemi pranuar. Nuk ka qenë aq i rëndë se ne i dimë, nuk është moti, para 5-6 muajve vazhdimisht i ka dërguar letra Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nuk e kemi një ftesë të tillë“, tha ai.
“Ne, bazuar në këtë gjendje, e kemi ftuar Këshillin Drejtues. Kemi dhënë kohë të mjaftueshme që zoti Kurti t’i bëjë përpjekjet e nevojshme që vendit me i dhënë President. Sigurisht se ka pasur prioritete të tjera. Dhe sot, (ka qenë e ftuar para disa ditësh mbledhja e Këshillit Drejtues), sot kam pranuar një komunikim nga zoti Kurti në WhatsApp ku Partisë Demokratike të Kosovës ia bën një ofertë. Oferta është kjo: që deputetët e Partisë Demokratike të qëndrojnë në sallë, të votojnë, dhe si rezultat i kësaj Partisë Demokratike i ofrohet (jam shumë korrekt në interpretim) i ofrohet posti i Kryetarit të Kuvendit, me një lloj ndryshimi që Vetëvendosjes me i kalu pozita e nënkryetarit të Kuvendit të cilën aktualisht e ka Partia Demokratike e Kosovës.
E para, kjo s’është serioze sepse Kryesia e Kuvendit është e konstatuar, Kuvendi është i konstatuar, janë zgjedhur, janë të votuar. Nuk e kemi kontestu këtë çështje, nuk jemi t’u fol për Kryetar të Kuvendit. Nuk kemi shku as me lyp pozitë për vete, as për ndonjërin prej anëtarëve të Partisë Demokratike; kemi shku që vendit me i dhënë institucione, stabilitet institucional edhe politik. Dhe e dyta, kjo fare nuk është serioze. Dhe e treta, që është shumë e rëndësishme, nuk është as kushtetuese. Për shkak se Kushtetuta edhe rregullorja e punës së Kuvendit është e qartë: Kryetari i Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e fundit. Tash, grupi kë e kandidon është në të drejtën e tyre, po atyre ju takon dhe votohet në Kuvend. Ndërsa nënkryetarët janë përfaqësues politikë të partive politike. Dhe në këtë rast, domethënë, nuk është e mundshme që kjo të bëhet as brenda Kushtetutës dhe normalisht që nuk është aspak serioze.
Shihet qartë që zoti Kurti me deklaratat e tij prej fillimit ka punuar në drejtim që vendin me e çu në zgjedhje. Ju kujtohet mirë: fillimisht Kuvendi, pastaj Qeveria, pastaj do ligje, e Presidenti… kur të bëhet“, u shpreh Hamza.
