(E plotësuar) Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, e ka dhënë premtimin më të madh deri më tani për rritjen e pagave në sektorin publik.
“Pagat në sektorin publik do të rriten me 50% për shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrfikësit, ushtarët, policët e të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Për dallim, për pozitat me paga të larta dhe emërime politike, rritja do të jetë 30%. Për sa i përket pensioneve, në qeverinë time nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro. Ndërsa, pensionet kontributdhënëse do të rriten me 30%, duke u bazuar në përvojën e punës”, ka thënë Hamza.
“Ju më njihni mua. Kur premtoj, e bëj edhe realitet”, ka shtuar ai.
Hamza ka treguar se do të ofrojë subvencione prej 100 eurosh në muaj për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike dhe i regjistrojnë ata në çerdhe private, duke siguruar kështu mundësi më të përballueshme dhe të qasshme për kujdesin ndaj fëmijëve.
Po ashtu, ai ka premtuar se krijojë edhe qendra për kujdesin ndaj të moshuarve në secilin rajon.
Hamza prezanton plan të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës
Kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, sot shpalosi pikat kryesore të programit elektoral ekonomik.
Hamza premtoi t’ua heq barrën financiare bizneseve, duke ndryshuar shumë praktika tatimore, ku një prej tyre është edhe praktika e pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara.
“Ne do ta ndryshojmë praktikën e pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara, që bizneset ta paguajnë TVSH-në pas shitjes dhe jo paraprakisht në kufi, duke i lehtësuar kështu ndjeshëm financat e tyre”, ka thënë Hamza.
Ai premtoi lehtësime edhe për bizneset e vogla me qarkullim deri në 10 mijë euro, të cilat, sipas Hamzës, do të lirohen nga tatimet.
“Bizneset e vogla, me qarkullim deri në 10 mijë euro, do të lirohen nga tatimi. Ndërsa, ato që investojnë mbi 500 mijë euro apo punësojnë mbi 50 punëtorë, do të lirohen nga tatimi në fitim për periudha të caktuara. Po ashtu, ne do ta eliminojmë edhe tarifën doganore për importin e veturave të reja elektrike”, ka thënë ai.
Kandidati për kryeministër i PDK-së u zotua jo vetëm për lehtësime, por edhe për mbështetje financiare të bizneseve.
“Do të ofrojmë një program mbështetës për sektorin privat, me subvencione dhe grante deri në 30% të investimeve për zhvillim”, ka thënë ai.
Hamza ka treguar se do ta zvogëlojë edhe barrën tatimore në të ardhurat personale, duke e ristrukturuar tatimin në të ardhura personale.
“Konkretisht, pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen. Pagat prej 400 euro deri në 800 euro do të tatohen vetëm me 8%. Ndërsa, mbi 800 euro, do të tatohen me 10%. Po ashtu, do ta shfuqizojmë edhe ligjin aktual për tatimin në pronë, për të siguruar barrë sa më të përballueshme tatimore për familjet dhe bizneset”, ka thënë ai.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka prezantuar edhe masa të tjera që do t’i marrë për zhvillimin ekonomik të vendit.
Hamza premton rritje 50 % të përfitimeve për kategoritë e luftës
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se për kategoritë e dala nga lufta, përfitimet do të rriten për 50%.
Ai ka thënë se prindërit e dëshmorëve do t’i marrin të dy llojet e pensioneve, pensionin e moshës dhe pensionit e familjes së dëshmorit. Ai e ka dhënë edhe një lajm tjetër për veteranët e UÇK-së.
“Ne do t’i heqim edhe kufizimet për veteranët, të cilët duan të jenë aktivë në tregun e punës”, ka thënë Hamza.
Bedri Hamza shpalos sloganin e PDK-së: “Kosova mundet ma mirë”!
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, e ka shpalosur sloganin me të cilin kjo parti do të garojë në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
“Nëse ka një mesazh që dua ta merrni të gjithë ju nga kjo konventë, është bindja jonë se Kosova mundet ma mirë. Ky është edhe slogani i fushatës sonë “Kosova mundet ma mirë”. Ne jemi këtu për ta dëshmuar këtë. Ndërsa, unë si kryeministër ju siguroj se do ta bëj këtë”, ka thënë Bedri Hamza.
Hamza është zotuar se si kryeministër do të përkushtohet të ndërtojë një ekonomi që fuqizon çdo familje.
“Vizioni im është i thjeshtë, por thelbësor: zhvillimi ekonomik, forcimi i drejtësisë dhe ndërtimi i një sistemi të qeverisjes që përfshin të gjithë, që u jep të rinjve mundësi për të punuar dhe ndërtuar jetën këtu, në vendin që e duam”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se populli ynë beson se Kosova mundet ma mirë.
“Ky është zëri i qytetarëve tanë. Ata thonë se Kosovën mund ta bëjmë më të mirë. Ata janë të gatshëm të punojnë shumë për ta arritur këtë. Por, më e rëndësishmja, sot populli ynë beson se Kosova mundet ma mirë”.
“Ne të gjithë mund të bëhemi më të mirë në shumë mënyra. Mund të bëhemi zyrtarë më të mirë, punëtorë më të mirë, punëdhënës më të mirë, mësues më të mirë, prindër më të mirë, studentë më të mirë. Dua që të gjithë ju të besoni se Kosovën mund ta bëjmë ma të mirë”, ka shtuar ai.
Duke folur për sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova, Hamza ka përmendur faktin se qytetarët ende janë duke luftuar për t’i përmbushur nevojat e përditshme.
“Shumë të reja e të rinj janë duke kërkuar shpresë e punë në vende të huaja. Kjo duhet të ndryshojë. Kjo është arsyeja pse kam pranuar kandidaturën për kryeministër dhe ta udhëheq Kosovën në rrugën përpara. Unë besoj fuqishëm se Kosova mundet ma mirë”, ka thënë ai.
LEXO EDHE: