Hamza: S’do të marrim pjesë në seancë ku do të diskutohet për zgjedhjen e presidentit

Prishtinë | 27 Pri 2026 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se kjo parti nuk do të marrë pjesë në seancën ku pritet të diskutohet çështja e zgjedhjes së presidentit, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se procesi i deritanishëm është joserioz dhe me qëllim manipulimi, duke paralajmëruar se situata e krijuar mund ta çojë vendin në zgjedhje të reja.

“Sonte, pas dy ditësh diskutim për zgjedhjen e presidentit, sonte Kuvendi duhet të ketë votim për zgjedhjen e presidentit. Dhe kjo është një veprim joserioz, është një veprim me qëllim manipulimi, një veprim që nuk prodhon rezultat dhe një situatë që vendin e çon në zgjedhje. Dhe adresë e vetme që e çon vendin në zgjedhje është Lëvizja Vetëvendosje dhe zotëri Kurti”, tha ai.

Hamza theksoi se PDK-ja ka qenë konstruktive gjatë gjithë procesit, duke marrë pjesë në takime dhe duke ofruar propozime për një kandidat konsensual, por sipas tij, këto përpjekje nuk janë marrë seriozisht.

“Ne si Partia Demokratike, edhe unë si kryetar i Partisë Demokratike, kemi qenë vazhdueshëm dhe mjaftueshëm konstruktivë. Kemi shkua në takime, kemi diskutuar, kemi shku në takime pa i respektuar krejtësisht edhe rregullat, edhe vikendet, edhe zyrat e Kryeministrit ku kemi shku’ në zyrë të Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kemi diskutuar, kemi qenë të gatshëm për një emër konsensual, kemi bë’ propozimin tonë, nuk është marrë seriozisht në konsideratë. Për më tepër, në studio televizive është interpretua’ edhe është keqpërdorur si qëndrim i imi. Dhe pas gjithë këtyre veprimeve edhe mungesës së seriozitetit, ne kemi ardhë në përfundim dhe në kuadër të Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës kjo temë konsiderohet si temë e mbyllur dhe e përfunduar për Partinë Demokratike të Kosovës. I urojmë sukses në zgjedhjen e presidentit me 80 deputetë të tjerë Kuvendit të Republikës”, tha ai.

Të ngjashme