Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se ka pasur një takim të frytshëm me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza ka thënë se si kandidat për kryeministër, prioritete të politikës së jashtme në qeverisjen e tij do të jenë forcimi i subjektivitetit shtetëror, normalizimi i raporteve ndërfqinjësore, përafrimi i vendeve të rajonit dhe integrimi euroatlantik.
Postimi i plotë:
Sot kishim një takim të frytshëm me Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me të cilin diskutuam për zhvillimet politike në vend e rajon.
Si subjekt politik, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar, që në koordinim të plotë me partnerët tanë ta forcojmë paqen dhe sigurinë në tërë rajonin tonë. Ndërsa, si kandidat për kryeministër, prioritete të politikës së jashtme në qeverisjen time do të jenë forcimi i subjektivitetit shtetëror, normalizimi i raporteve ndërfqinjësore, përafrimi i vendeve të rajonit dhe integrimi euroatlantik.
Në rrugën evropiane të Kosovës është jetike përkrahja e Gjermanisë dhe me përkushtim të palëkundur do ta ruajmë partneritetin me të gjithë aleatët tanë.