Hamza uron fëmijët e mësuesit për vitin e ri shkollor, premton ndryshime nëse bëhet kryeministër

Prishtinë | 02 Sht 2024 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, i ka uruar fëmijët dhe mësimdhënësit për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në një postim në Facebook, ai thotë se pos fillimit të vitit të ri, sot është ditë e rëndësishme edhe për të reflektuar mbi mungesën e përkrahjes për mësimdhënësit. Për këtë, ai premton ndryshime në rast se bëhet kryeministër.

“Sot është ditë gëzimi për të gjithë fëmijët që u hapen dyert e shkollave dhe u kthehen bankave, shoqërisë, mësimeve e lojërave të tyre. Një fillim i ri në rrugën e dijes. Një rritje e ngritje më shumë. Emocione të veçanta edhe për prindërit dhe mësimdhënësit, të cilët me përkushtim e bashkëpunim i edukojnë brezat dhe i përgatisin me njohuri të reja për një të ardhme më të ndritur. Por, sot është ditë e rëndësishme edhe për të reflektuar mbi mungesën e përkrahjes për mësimdhënësit. Gjithnjë e më pak nxënës në klasa dhe gjithnjë e më pak përkrahje për mësuesit. Ju premtoj se këtë qasje do ta ndryshojmë në vitin e ardhshëm! Vit të mbarë dhe suksese të reja”, ka shkruar Hamza.

Të ngjashme