“Handikos”: Paqartësi dhe vonesa në shpërndarjen e pajisjeve për paraplegjikët e tetraplegjikët

Prishtinë | 03 Tet 2025 | 16:04 | Nga Ekonomia Online

Organizata “Handikos” ka shprehur shqetësim lidhur me siç ka thënë, vazhdimin e paqartësive dhe vonesave në procesin e shpërndarjes së pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, konkretisht ata me status paraplegjik dhe tetraplegjik. 

Në një reagim të “Handikos-it” thuhet se kjo zvarritje po ndodh pavarësisht se procesi është mbështetur me vendime institucionale dhe me një buxhet të ndarë nga Qeveria. 

Reagimi i “Handikos”:

HANDIKOS shpreh shqetësim të thellë lidhur me vazhdimin e paqartësive dhe vonesave në procesin e shpërndarjes së pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, konkretisht me status paraplegjik dhe tetraplegjik. Kjo zvarritje po ndodh pavarësisht se procesi është mbështetur me vendime institucionale dhe me një buxhet të ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Pas reagimit tonë publik, më datë 11 qershor 2025 Komisioni vlerësues i caktuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka nisur pranimin e aplikacioneve nga vet personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik apo familjarët e tyre, në përputhje me Udhëzimin Administrativ (QRK) nr. 11/2022, i cili përcakton listën dhe llojet e pajisjeve ndihmëse që ofrohen falas, përfshirë ato për parandalim, asistim dhe lëvizje.

Megjithatë, ky proces vazhdon të shoqërohet me paqartësi dhe sfida të shumta, ndërkohë që pajisjet nuk po mbërrijnë tek komuniteti, ndonëse janë bërë gati 4 muaj nga nisja e fazës së aplikimit.

Bazuar në informacionet dhe ankesat e përditshme që pranojmë nga anëtarët tanë, personat aplikues nga e gjithë Kosova duhet të jenë fizikisht prezent për vlerësim nga komisioni, pra për herë të dytë, edhe pse ishte premtuar mundësia e aplikimit online, e cila nuk është ofruar asnjëherë në praktikë deri tash.

Shqetësimi më i madh mbetet tek fakti që komisioni vlerësues nuk kanë asnjë mjet vlerësues për marrjen e përmasave të personave se çfarë pajisjesh duhet të kenë, nuk kanë njohuri mbi llojet, nuk i kanë parë pajisjet dhe nuk njohin funksionalitetin apo mënyrën e përdorimit, përshtatjes dhe montimit të tyre, përpos posedimit të një liste të shkruar të pajisjeve nga menaxhmenti i SHSKUK-së. Ndonëse në bazë të Udhëzimit Administrativ nuk përcaktohen kompetenca të tilla.

Po ashtu, personi njoftohet nga zyrtarja e SHSKUK-së për marrjen e vendimin i cili zgjatë 1 muaj apo më shumë i shkruar nga kryesuesja e komisionit, dhe aty personit i komunikohet se do të ftohet për të marrë pajisjen në SHSKUK, ose se kompania e kontraktuar do t’ia dorëzojë atë në shtëpi. E kjo procedurë kërkon që personi të paraqitet në SHSKUK të paktën katër herë, një maltretim dhe barrë e panevojshme për dikë me lëvizshmëri të kufizuar.

Sipas informatave, Komisioni përkatës ka adresuar kërkesë urgjente në SHSKUK për kontraktimin e një organizate të licencuar, siç thuhet në UA, për matje, montim, përshtatje, trajnim bazik për përdoruesit dhe shpëndarje të pajisjeve ndihmëse, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur.

HANDIKOS vlerëson se këto pengesa dhe zvarritje përbëjnë diskriminim dhe shkelje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke rënduar më tej situatën e tyre socio-ekonomike dhe shëndetësore.

I bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që urgjentisht të sqarojnë publikisht se ku qëndron procesi, pse pajisjet ende nuk po arrijnë tek personat që kanë nevojë për to, si dhe të garantojnë transparencë, efikasitet dhe zbatim të Udhëzimit Administrativ.

HANDIKOS mbetet e përkushtuar të mbrojë të drejtat dhe dinjitetin e personave me aftësi të kufizuara dhe do të vazhdojë të monitorojë këtë proces nga afër.

Të ngjashme