Në momentin që Mbretëresha vdiq, froni i kaloi menjëherë pa ceremoni trashëgimtarit të saj, Charlesit, i njohur më herët si Princi i Uellsit. Por ka një sërë hapash praktikë dhe tradicionalë të cilët duhet të ndiqen për tu kurorëzuar mbret. Ai do të njihet si Mbreti Charles i 3-të.
Ky ishte vendimi i parë që mori sundimtari i ri, i cili mund të zgjidhte mes 4 emrave të tij, Charles Philip Arthur George. Por Charles nuk është i vetmi që do të ketë ndryshim të titullit. Princi William trashëgon titullin e të atit, Duka i Kornuellit e bashkë me të shoqen Kate do të njihen si Duka dhe Dukesha e Cornëell dhe Cambridge. Ka një titull të ri edhe për bashkëshorten e Charles, Camilla e cila bëhet tani bashkëshortja Mbretëreshë.
Pritet që Charles të shpallet zyrtarisht mbret sot. Kjo do të ndodhë në pallatin e Saint James në Londër, përpara një organizmi ceremonial që njihet si Këshilli i Aderimit. Në ceremoni do të njoftohet vdekja e mbretëreshës Elizabeta e më pas do të shpallet me zë të lartë sundimtari i ri. Deklarata do të firmoset nga një sërë personalitetesh të larta, përfshirë kryeministren dhe Arqipeshkvin e Canterbury.
Vëmendje e shtuar do t’i kushtohet detajeve të ceremonisë, elementeve që do të shtohen apo ndryshohen, si një sinjal i një epoke të re.
Mbreti do të marrë pjesë në një takim të dytë të Këshillit të Aderimit, bashkë me këshilltarët e monarkisë dhe më pas, siç e kërkon tradita që daton që në shekullin e 18, do të bëjë betimin për të mbrojtur Kishën e Skocisë. Shpallja publike e Charlsit si mbret do të bëhet në ballkonin e pallati të Saint James, nga një zyrtar monarkisë. Ai do të thërrasë “God Save the King” dhe përherë të parë që prej 1952-shit, himni kombëtar do të luhet me fjalët “Zoti e shpëtoftë Mbretin.
Përshëndetje me armë do të bëhen në Hyde Park, Kullën eLondrës dhe shpallja mbret e Charlsit të 3 do të lexohet në Edinburgh, Cardiffand Belfast.
Momenti më simbolik do të jetë dita kur Charlsi do të kurorëzohet zyrtarisht. Duke qenë se nevojiten përgatitje, kurorëzimi nuk ka gjasa të ndodhë shpejt. Elizabeta trashëgoi fronin në shkurt të 1952-shit, por u kurorëzua si mbretëreshë në qershor të vitit 1953. Përgjatë 900 viteve kurorëzimi është zhvilluar në Abacinë e Westminsterit.
Uilliam Pushtuesi ishte monarku i parë që u kurorëzua atje, dhe Charles do të jetë i 40-ti. Charles është tani kreu i Commonwealth, një grupim prej 56 vendesh të pavarura dhe 2.4 miliardë njerëzisht. Për 14 nga këto shtete, e gjithashtu Britaninë e Madhe, mbreti është kreu i shtetit.