Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) hap sot zyrtarisht Festivalin Olimpik PyeongChang 2018, i cili prej tri ditësh ka filluar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Krahas Festivalit, do të bëhet edhe hapja e Panairit të Sportit Prishtina 2018, i cili po ashtu do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Të dyja këto aktivitete hapen solemnisht në ora 11:00, derisa të njëjtat do të organizohen edhe me rastin e shënimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Pjesëmarrës në hapjen e të dy aktiviteteve, të cilat do ta “pushtojnë” sheshin kryesor të Prishtinës, do të jetë edhe ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi, kurse pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe personalitete të tjera.
Në Panair, pritet të marrin pjesë dhjetëra klube të kryeqytetit, të cilët gjatë tërë ditës do të shfaqin ofertat e tyre para nxënësve të shkollave fillore.
Ndërkohë, në Festivalin Olimpik, në tri ditët e para mbi 1 mijë fëmijë kanë performuar në sportet e patinazhit dhe kërlingut.
KOK-u është bërë Komiteti i nëntë Olimpik në botë që organizon një festival të tillë madhështor, pas shteteve të fuqishme si: Italia, Franca, Belgjika, Holanda, Sllovenia, Republika e Çekisë, etj. Festivali po mbahet krahas Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang2018, të cilat po përcillen në ekranin gjigant të vendosur skaj aktiviteteve.